Dëshmitarja amerikane, Sandra Lyn Mitchel, në ditën e tretë të dëshmisë së saj në rastin kundër ish-eprorëve të UÇK-së ka thënë se UÇK-ja kishte shtab të përgjithshëm, mirëpo funksionaliteti i saj nuk i ngjante ushtrisë jugosllave.
Mitchel, ish-shefe e sektorit për të drejtat e njeriut në Misionin Verifikues të Kosovës në kuadër të OSBE-së, në pyetjet e avokatit të ish-presidentit, Hashim Thaçi, Gregory Keohoe, u përgjigj se nuk e di nëse kishte gjuhë të përbashkët mes shtabit dhe zonave operative.
“Kishin një shtab të përgjithshëm, nuk e di nëse kishin një gjuhë të përbashkët apo jo ”, tha Mitchel.
Mitchel ka dëshmuar në procesin paraprak gjyqësor në Tribunalin e Hagës në rastin kundër krerëve politikë, ushtarakë e policorë serbë Milan Milutinoviq, Nikola Shainoviq, Dragolub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Lazareviq, and Sreten Lukiq. Ata të gjithë, me përjashtim të Milutinoviqit, janë dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë.
Mbi dëshminë e saj paraprake avokati Kehoe i parashtroi pyetje.
“Po ju kujtoj atë që e keni thënë në gjykimin Milutinoviq (dhe të tjerët në Tribunalin e Hagës) se nuk kishte një qendër të unifikuar e të koordinuar në krahasim me forcat serbe, porse ishin më shumë komandantë të nivelit lokalë. A është kjo e saktë”, pyeti Kehoe.
Dëshmitarja e pohoi këtë.
Kehoe citoi pjesë nga ky gjykim i Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Jugosllavinë, përfshirë ku ajo kishte përmendur mungesë uniteti në UÇK dhe persona që vetëquheshin UÇK.
“ ‘Nëse mundem, UÇK-ja nuk ishte e unifikuar në një mënyrë të bashkërenduar me format qendror...Kishte komandantë të Zonave që në përgjithësi u dukeshin ndryshe palëve të ndryshme. Pra nuk dihej qartë se kush është palë e UÇK-së në një zonë të caktuar pasi kishte grupime personash të cilët e quanin veten UÇK. Ishte e vështirë për tu kuptuar’ – pra në bazë të përvojës tuaj ju keni dëshmuar se UÇK-ja nuk ishte e unifikuar në nivel qendror. A është e saktë”, pyeti avokati Kehoe.
“Po”, u përgjigj dëshmitarja.