Dëshmitari Sami Gashi të mërkurën ka deklaruar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se e ka parë të akuzuarin për krime lufte Milorad Gjokoviq më 8 maj 1999 sa ishte i ndaluar në bashkë me 39 civilë të tjerë në një garazhe në Ozdrim të Pejës. Ai ka thënë se Gjokoviqi kishte rroba të policisë dhe i kishte folur të ndaluarve në garazhin afër shtëpisë së Shemsedin Zekajt në Ozdrim.
“Na ka vizituar në garazhe, jo për derë, po për një vrimë në derë, na ka vizitu dhe na ka thënë komshi s'kom ça me ju ba është luftë... Shumë mirë e di që na i ka thënë ato fjalë", ka rrëfyer dëshmitari.
Dëshmitari u shpreh se arsyeja pse Gjokoviqi i kishte quajtur civilët e Ozdrimit “komshi” është se fshati Vitomericë dhe Ozdrim janë ngjitur me njëri-tjetrën.
"Ozdrimi e Vitomirica janë afër dhe i referohemi si komshi", ka thënë dëshmitari Sami Gashi.
Gashi ka theksuar se të gjithë ishin civilë dhe se në fshat nuk kishte rezistencë të armatosur të shqiptarëve. Tha se ka dëgjuar të shtëna me armë, por nuk ka mundur ta shohë se kush po gjuan.
“Çdo 1 minutë ka pas gjuajtje. Në mbrëmje në garazhe e kanë gjuajtur edhe vetë garazhin... Në Ozdrim nuk ka pas luftë frontale më 7 maj", ka thënë ai.
Të akuzuarin tha se e njihte para luftës si ofiqar të Vitomericës, me të cilin nuk mund të kryhej punë pa i dhënë ryshfet. Tha se Gjokoviqi ishte i përfshirë në rrahje të civilëve shqiptarë edhe më 1997.
“I akuzuari ka dalë në lokalin ‘Moskva’ bashkë me të tjerë serbë të mbështetur nga policia, na kanë ndalur dhe na kanë rrahur duke u kthyer nga demonstratat", u shpreh ai.
Gashi ka thënë se më 7 e 8 maj në Ozdrim ka pasur polici, armatë jugosllave, polici ushtarake (me kapela të kuqe) e edhe paramilitarë (me fytyra të ngjyrosura). Gashi ka shtuar se është dërguar bashkë me civilët e tjerë në Burgun e Qarkut në Pejë dhe më pas në Burgun e Leskocit në Serbi.
Sipas aktakuzës, Gjokoviq dyshohet se në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatra përreth këtij regjioni, ka aplikuar masa të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.
Gjykimi ndaj Gjokoviqit kishte nisur në verë të vitit 2023.
LEXO EDHE: