Arbëri

Dëshmitari në gjykimin për sulm terrorist: I akuzuari ma dërgoi foton e KKZ-së të dëmtuar me gurë

Dëshmitari i mbrojtjes në rastin për sulmin ndaj zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në veri më 2022, ka deklaruar se në një rast i akuzuari Aleksandar Vlajiq ia ka dërguar fotografinë e xhamit të KKZ-së që ishte thyer me gur, para sulmit. Dëshmitari tha po ashtu se i ka treguar, Vlajiqit, tani i dyshuar edhe për spinunazh se rastin e ka raportuar në Polici e KQZ. Ai deklaroi se për atë sulm kishte kuptuar nga mediet.

Slobodan Dimitrijeviq, dëshmitar i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit Aleksandar Vlajiq, në rastin për sulmin terrorist në Komisionit Komunal Zgjedhor të Mitrovicës së Veriut, tha se i akuzuari ia ka dërguar me mesazh një fotografi të xhamit të KKZ-së së goditur me gur.

Dimitrijeviq deklaroi se ngjarja ndodhi para sulmit për të cilin akuzohen të pandehurit dhe para 15 nëntorit.

Sipas tij kjo ndodhi, para se të jepte dorëheqje nga pozita e shefit të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut.

Dëshmitari tha po ashtu se i ka treguar, Vlajiqit, tani i dyshuar edhe për spinunazh se rastin e ka raportuar në Polici e KQZ

“Në fotografi është vërejtur se është shkoqur najloni dhe është vërejtur një vrimë e xhamit të thyer. I jam përgjigjur dhe i kam thënë se e kam lajmëruar më herët”, theksoi dëshmitari.

I pyetur për arsyen e dorëheqjes së tij e cila u bë në kohën kur u dorëhoqen serbët nga institucionet në komunat veriore me urdhër nga Serbia, dëshmitari tha se e bëri për arsye personale. 

“Thjesht nuk kam dashur ta bëj më atë punë”, tha dëshmitari. 

Në pyetjet e prokurorisë u përgjigje se dorëheqjen e dha pa presion dhe se sot punon privatisht me bartje të materialeve dhe si murator. 

Dimitrijeviq po ashtu tha se nuk pati presion asnjëherë. 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, më 6 dhjetor 2022 u realizua sulmi terrorist ndaj KKZ-së në Mitrovicë të Veriut e një autoambulancë u përdor për bartje të granatave të dorës të cilat, sipas i mori i akuzuari Milun Milenkoviq – Llune.

Krahas tij, Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq e Miomir Vakiq po përballen me akuzat e prokurorisë se kanë hedhur granata dore dhe shok-bomba me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve në veri.