Në rastin e parë në Kosovë, të gjykimit në mungesë, ku prokuroria akuzon Çedomir Aksiqin për krime lufte, përfshirë këtu pjesëmarrjen në Masakrën e Reçakut, u paraqit të martën dëshmitari i parë Sadri Jashari. Ai ka thënë se e njihte të akuzuarin Aksiq dhe gjatë dëshmisë, i referohej si “Çeda”
Sadri Jashari, qytetar nga Shtimja, ka dëshmuar të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i akuzuar për krime lufte është Çedomir Aksiq.
Jashari, ka thënë se gjatë luftës, atij i është shkatërruar shtëpia me eksploziv, për çka përgjegjës e mban të akuzuarin Aksiq, të cilit iu referua si “Çeda”.
Jashari është pyetur nga prokurorja Habibe Salihu, se pse e thërret në nofkë të akuzuarin. E dëshmitari theksoi se e ka njohur për një kohë të gjatë atë.
“Ne Çedë i kemi thënë gjithmonë, sepse e kam pasur fqinj të parë. E kam njohur Çedomirin, babain e tij, sepse i kemi pasur shtëpitë krah njëra-tjetrës”, bëri të ditur ai.
Prokuroria Speciale, Aksiqin e akuzon për një numër vrasjesh, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në Masakrën e Reçakut.
I akuzuari Aksiq nuk ishte i pranishëm në seancë. Rasti ndaj tij, është i pari gjykim në mungesë që nga paslufta.
Të akuzuarin Aksiq, dëshmitari Jashari, ka thënë se e ka parë disa herë në uniformë të policisë.
“Prej fillimit, prej ditës së parë të luftës, ai ka qenë i veshur (v.j. i uniformuar) edhe a ka qenë drejtor apo ka mbajtur një pozitë të lartë në polici, nuk jam i sigurt”, ka thënë Jashari.
Kjo e së martës, ishte seanca e parë gjyqësore për këtë rast, pas shqyrtimit fillestar, i cili është mbajtur në nëntor të vitit 2023. E aktakuza ndaj Aksiqit, është ngritur në maj të po këtij viti.
Në dokumentin akuzues, thuhet se mes fshatrave Reçak, Mulapolc dhe Petrovë, Aksiqi, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kanë urdhëruar dëbimin e banorëve, e më pas ua kanë djegur shtëpitë.
Ai akuzohet edhe për pjesëmarrje direkte në një vrasje.
“Derisa i ndjeri Halil Hysenaj, kishte qenë se bashku me familjen e tij dhe me pjesëtarë të tjerë të popullatës shqiptare të fshatit Petrovë të Shtimes, duke qëndruar në mal për t’u mbrojtur nga sulmet që kishin filluar nga forcave serbe, në momentin kur forcat serbe kishin filluar të shkojnë në drejtim të vendqëndrimit të të dëmtuarve në mal, tani i ndjeri, me qëllim që të sigurohet se a janë pjesëtarë të UÇK-së apo të forcave serbe, ishte nisur në drejtim te tyre, por ishte ndaluar nga vetë i akuzuari Çedomir Aksiq, i cili kishte qenë i veshur me uniformë lara-lara, e që tani të ndjerin Halil Hysenaj e kishte mbështetur për një ‘stami’ dhe ia kishte drejtuar armën, pushkën 10-she, ndërsa më vonë, Halil Hysenaj është gjetur nga fshatarët pa shenja jete”, thuhet në aktakuzë.
Në fshatin Reçak, sipas aktakuzës, Aksiqi ka marrë pjesë edhe në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Aksiqi tani jeton në Krushevc të Serbisë.
Mundësia e gjykimeve në mungesë është përfshirë në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2019. Kodi ndërkohë pësoi ndryshime më 2021 e 2022, derisa aktakuza e parë në mungesë u ngrit vitin që shkoi.