Arbëri

Dëshmitari i mbrojtjes konteston deklaratat e çiftit Zyrapi kundër Shalës

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të enjten, ka vazhduar rigjykimi ndaj Remzi Shalës, i cili akuzohet për krime lufte ndaj popullsisë civile. Në cilësinë e dëshmitarit është paraqitur ish-veterani i UÇK-së, Blerim Kuqi, i cili ka kontestuar dëshmitë e çiftit Zyrapi

Shqyrtimi kryesor në rigjykimin ndaj Remzi Shalës, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit, ka vazhduar të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, me dëgjimin e dëshmitarit Blerim Kuqi.

Ai ka kontestuar vërtetësinë e deklaratave të dëshmitares paraprake, Ganimete Zyrapi, derisa për dëshmitarin Nuhi Zyrapi ka thënë se e ka dajë dhe se ai kurrë nuk ia kishte përmendur se Remzi Shala dyshohet për vrasjen e Haxhi Përteshit.

Blerim Kuqi tha se në shtëpinë e vëllezërve Zyrapi ka qëndruar nga fundi i qershorit deri në fund të korrikut të vitit 1998 dhe se aty nuk e ka parë asnjëherë të akuzuarin Shala. Në seancat e mëparshme, Ganimete Zyrapi tha se në shtëpinë e burrit të saj ka dëgjuar se si Remzi Shala është shprehur se “e kanë hequr qafe edhe njërin”, respektivisht Haxhi Përteshin.

“Gjatë kësaj kohe, a ju kujtohet, ndonjë situatë e pazakontë, në mes të Ganimete Zyrapit dhe ndonjë ushtari të UÇK-së?”, ka pyetur Blerim Mazreku, mbrojtës i të akuzuarit.

“Jo”, është përgjigjur shkurt dëshmitari Blerim Kuqi.

Kuqi ka deklaruar se edhe burri i Ganimete Zyrapit nuk i ka folur kurrë për rastin apo dyshimet lidhur me përfshirjen e Remzi Shalës.

“Nuhi Zyrapi është daja im. Unë e kam dajë, qe 24 vjet, prej që ka ndodhur rasti, unë e kam pasur dajë edhe para 24 vjetëve, edhe sot e kam dajë. Kurrë një herë nuk e ka pasur bisedë me mua këtë rast. Domethënë që Remzi Shala dyshohet se e ka marrë atë person – kurrë në jetë nuk e ka pasur këtë bisedë”, ka thënë Kuqi.

Para trupit gjykues, dëshmitari ka treguar se si ka pranuar mesazh nga djali i Ganimetes dhe Nuhiut, rreth dëshmisë eventuale të tij në këtë gjykim, të cilat transkripte edhe i ka dorëzuar.

Kuqi ka thënë se Bashkim Nrecaj mund të tregojë se ku ka qenë në atë kohë Remzi Shala.

Mbrojtja ka propozuar dëgjimin e Nrecajt.

E, prokurori Haki Gecaj ka propozuar dëgjimin edhe të Altin Zyrapit, por këto nuk janë miratuar nga trupi gjykues.

Trupi gjykues ndërkohë ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për rimarrjen në pyetje të dëshmitarit, Blerim Kuqi.

Seanca e radhës është caktuar për datën 22 maj.

Gjykata Themelore e Prizrenit, në korrik të vitit 2019, pati njoftuar shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Remzi Shalës, për bashkëkryerjen e veprës penale: krime lufte kundër popullsisë civile, duke e dënuar me 14 vjet burgim. Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e ndryshoi aktgjykimin, duke zbritur dënimin në 10 vjet burgim.

E Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020, e ktheu rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzon Remzi Shalën se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, e kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin.