Dëshmitari i 19-të e ka përmbyllur dëshminë me seancë të mbyllur, në rastin ku ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. E në seancën e mbajtur të hënën në Dhomat e Specializuara në Hagë dëshminë e filloi dëshmitari i 20-të lidhur me babanë e tij të zhdukur. Tha se atë nuk e ka parë që nga momenti kur, sipas tij, u mor nga pjesëtarët e UÇK-së. Mohoi se ai ishte spiun i Serbisë
Për një person që prokuroria e ka vlerësuar si të zhdukur me dhunë, të hënën ka dhënë dëshmi dëshmitari i 20-të në Dhomat e Specializuara në Hagë, në shqyrtimin gjyqësor ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Fillimisht prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ruth-Mary Hackler, dha një përmbledhje të rastit ku, sipas saj, bëhej fjalë për një person që familjarët nuk e panë që nga momenti kur u ndalua nga pjesëtarët e UÇK-së.
“Në vitin 1998 disa anëtarë të armatosur të UÇK-së erdhën në shtëpinë e familjes së 4368 dhe morën një prej të afërmeve të tyre për t’u marrë në pyetje. 4368 dhe personat e tjerë shkuan në mënyrë të vazhdueshme në Shtabin lokal të UÇK-së dhe çdoherë u kërkuan zyrtarëve të UÇK-së informacion rreth të afërmit të tyre, por asnjëherë nuk morën asnjë informacion”, tha Hackler.
Dëshmitari tha se ishte pjesëtar i LDK-së gjatë dhe pas luftës. Lidhur me zhdukjen e babait tha se ka raportuar në organet e UNMIK-ut më 2001. Tha se ka qenë edhe në zyrën e politike të UÇK-së në Prishtinë, që në kohën e luftës drejtohej nga Adem Demaçi, porse nuk ka marrë informata për vendndodhjen e babait.
Shtoi se aty ka parë edhe bashkëpunëtorin e Demaçit, që tash është kryeministër i Kosovës, por tha se nuk ka folur me të.
“Pra, shkuat për t’u takuar me Demaçin së bashku me persona të tjerë, pra së bashku me personin 2 shkuat për të folur, për t’u takuar me Demaçin e Kurtin. Ju keni folur me Kurtin i cili ishte asistent i Demaçit, kështu ka qenë?” – pyeti avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.
“Kurti... Demaçi nuk ka dalë prej zyrës. Vetë Kurti u dalë përjashtë, m’i kanë jepë këpucët edhe u shku, s’kom bisedu ma me Kurtin. Kurtin e adhuroj sot se është një ministër shumë i mirë, por nuk kam pasë muhabete me Kurtin...as me Demaçin, nuk na ka pranuar. Se e diti situatën ku është dhe nuk na ka pranu”, tha dëshmitari.
“Por me Kurtin a u takuat? Çfarë marrëdhënie kishit me Kurtin?” – pyeti Kehoe.
“E kundërshtoj i nderuari gjykatës, sepse tha që nuk është takuar me Kurtin” , kundërshtoi prokurorja Hackler.
“E patë? E patë zotëri Kurtin kur ishit aty?” – tha Kehoe.
“E thashë, e pashë, pa biseduar. Nuk biseduam”, tha dëshmitari.
“Cili ishte raporti juaj me Kurtin? Kishit ndonjë lloj shoqërie?” – tha Kehoe.
Pas kësaj pyetjeje seanca në disa raste u mbyll për publikun. Dëshmitari mohoi se i ati ishte spiun i Serbisë. Ai u pyet edhe me deklaratat e mëhershme ku, sipas avokatëve, ka përmendur “armiqtë krahinorë”. Por, ato tha se nuk i kujtohen.
Në listën e viktimave, në aktakuzën e publikuar në shkurt të këtij viti, figurojnë 20 persona të zhdukur me dhunë, e shumica e emrave të tyre janë të redaktuar.
Pas dëshmisë së dëshmitarit të 20-të, është paraqitur për të dëshmuar dëshmitari i radhës. Agim Idrizi është dëshmitar i radhës në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve.
Ai po dëshmon pa masa mbrojtëse dhe po intervistohet nga prokuroi James Pace.
Sipas Speciales ai do të dëshmojë lidhur me rrëmbimin që ai pretendon se i është bërë nga pjesëtarë të UÇK-së në vitin 1999.