Agron Ramadani e ka identifikuar Gavrillo Millosavleviqin si keqtrajtues gjatë luftës së fundit në Kosovë. Millosavleviq po akuzohet për krime lufte si personi që ka keqtrajtuar të burgosurin shqiptar Shkëlzim Zllanoga.
“Gardiani sipas mbiemrit i tha ‘ti si nash' (ti je një nga ne). I tha të këndojë, por ai nuk këndoi. E kapi për fyti, s'e di sa sekonda ka zgjatë derisa Shkëlzimit më kujtohet se i dolën sytë jashtë”, tha dëshmitari.
Ramadani vazhdoi duke thënë se të pandehurin një gardian tjetër e thirri me nofkën Gagi.
“Një nga gardianët ka hyrë në dhomë.... fillimisht ju ka drejtu profesor Ukshin Hoti, me fjalët ‘shkaku juj na po bombardohemi’ dhe ‘ju jemi terrorista e na po ju majmë me bukë’, hajde ta këndoni tash të gjithë ‘ko to kaze ko to laze Serbija je mala' (kush thotë e kush gënjen që Serbia është e vogël)... Ne u habitëm.. më pas asnjëri nga ne nuk ka folur dhe ka filluar aty ...Shkëlzim Zllanoga ka qenë në fund te dritarja”, ka rrëfyer ai.
Sipas dëshmitarit Ramadani, i akuzuari e detyroi tani të ndjerin të këndonte këngën serbe që i glorifikon luftrat e Serbisë.
“Masi e lëshoi Shkëlzimin, atëherë Shkëlzimi ishte i detyrum të këndonte. Pasi përfundoi, dolën nga dhoma duke thënë ‘Zhivela Srbija' (Rroftë Serbia)”.
Ramadani ka thënë se Zllanoga vdiq në burg në Serbi në vitin 2000 dhe vazhdimisht ka pasur dhimbje shkaku që i pandehuri ia kishte shtrënguar fytin. Ngjarja sipas tij ka ndodhur pak ditë para masakrës së Dubravës në maj 1999. Ramadani tha se vetë ka marrë plagë me armë zjarri më 22 maj kur të burgosurit u thirrën me altoparlant të rreshtoheshin në fushën sportive të burgut.
Ai tha se nuk ka gardian të burgut që nuk ka marrë pjesë në masakrën e Dubravës.