Arbëri

Dervishi s’ua sheh fundin trazirave në PD: Divorci Berisha-Basha i pashmangshëm

Trazirat në selinë e Partisë Demokratike në Shqipëri për momentin janë shuar me ndërhyrjen e Policisë, mirëpo lufta brenda subjektit më të madh opozitar në këtë vend, do të vijojë padyshim gjatë gjithë vitit 2022, konkludon gazetari dhe profesori universitar, Lutfi Dervishi.

Ai në një intervistë për KOHËN, ka thënë se nuk pret që ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ishte edhe prijës i protestës të së shtunës, të tërhiqet. Sipas tij, beteja midis Berishës dhe kryetarit aktual të PD-së, Lulzim Bashës, do të zhvendoset nga selia qendrore në degët e PD-së.

“Nuk besoj se do të ketë një tërheqje nga ana e z. Berisha. Ndërkohë ka paralajmëruar për ditën e diel një takim me anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike në Shkodër. Ndoshta beteja mes Berishës dhe Bashës, nga selia qendrore do të zhvendoset në degët e rretheve të PD-së. Z. Berisha dhe mbështetësit e tij kanë paralajmëruar se do të kenë një Kuvend tjetër më 22 mars”, ka thënë Dervishi.

Për ta rikthyer elektoratin e ndarë në dy pjesë, sipas Dervishit, PD-ja nuk ka alternativë tjetër përveçse të shuajë zjarrin që i ka rënë në shtëpi.

“Duhet të ulet temperatura e lartë e debatit të brendshëm në PD që është shumë agresiv, sidomos në rrjetet sociale dhe debatet televizive dhe kjo temperaturë e lartë, siç e pamë ditën e shtunë është zhvendosur edhe në sheshe me pasoja të paparashikueshme. Divorci në PD mes Berishës dhe Bashës duket i pashmangshëm. Pyetja është nëse do të jetë një divorc civil apo i zhurmshëm. Sherri në shtëpinë e PD-së për momentin është shuar me ndërhyrjen e policisë. Por po e ftove policinë në shtëpi, ti nuk je më zot i shtëpisë. Është policia, drejtësia që do të vendosë për fatin tënd”, është shprehur tutje ai.

Image

Kriza brenda njërës prej dy partive kryesore në Shqipëri, në opinionin publik u paraqit sikur do të shërbente mirë për partinë në pushtet, por duke qenë faktorë përballë njëra-tjetrës, Dervishi thotë se fitorja e Partisë Socialiste në këtë rast ka pasoja.

“Në pamje të parë, PS-ja dhe qeveria e saj duket fituese. Por kjo është një fitore me pasoja sepse një qeveri pa opozitë, një qeveri e pa sfiduar lehtë bie në vetëkënaqësi dhe eventualisht në arrogancë e korrupsion”, ka deklaruar Dervishi.

Pas reagimeve të shumta nga faktori ndërkombëtar në ditën e protestës dhe paralajmërimeve të tyre që secili do të mbajë përgjegjësi për dhunën që solli protesta e 8 janarit, së fundmi u deklarua edhe zëvendëssekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, i cili dënoi dhunën, por foli edhe për masën “non-grata” që SHBA-ja ka futur në përdorim edhe në Shqipëri. Duke e cituar Escobarin tek thotë se “kjo nuk është mënyra se si angazhohen Shtetet e Bashkuara në rajon, veçanërisht me Shqipërinë”, Dervishi ka thënë se do të ishte gabim që “marrëdhëniet e një prej vendeve më pro-amerikane në kontinent të shihen në prizmin e listës ‘non-grata’”.

“Politika amerikane ndaj Shqipërisë është konstante prej 3 dekadash: vend anëtar i NATO-s, mbështetje për anëtarësim ne BE, një vend me shtet ligjor dhe demokraci të konsoliduar”, ka theksuar Dervishi.

Sipas gazetarit Dervishi, beteja e PD-së do të ketë dimension edhe brendaparlamentar. Ai ka thënë se deri më tani janë 15 deputetë të deklaruar krah Berishës dhe pjesa tjetër në krah të Bashës.

Ani pse një pjesë e konsiderueshme e grupit parlamentar janë ndarë tashmë nga udhëheqësi aktual i tyre duke kaluar në anën e Berishës, Dervishi ka thënë se ish-kryeministri nuk synon parti të re, pasi beteja mbetet për PD-në.

Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, muaj më parë, pasi ish-lideri u shpall “non grata” nga SHBA-ja. Berisha nisi tubimet brenda partiake dhe organizoi një referendum për ta shkarkuar Bashën. Pasi mori shumicën e votave të anëtarëve, të shtunën e 8 janarit, Berisha me mbështetës ia mësynë selisë së partisë kreu i së cilës nuk e njohu referendumin. Aty dyert i gjetën të blinduara e gjithçka u përcoll me tensione mes mbështetësve të të dy krahëve të partisë. Në mes ndërhyri Policia. E Basha shkarkoi të gjithë ata që iu bashkuan Berishës.