Policia shqiptare do të ketë akses në gjithë databazën e ADN-së të shqiptarëve të dënuar në Britaninë e Madhe. Kjo marrëveshje u firmos në Londër nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe homologia e tij në Londër, Priti Patel.
Ministrja angleze Priti Patel ka shkruar në Twitter se kjo marrëveshje ka për synim përshpejtimin e hetimeve penale.
“E lumtur që takova Bledi Çuçin këtë pasdite. Shqipëria është një partner kyç në trajtimin e disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballemi, nga migrimi i paligjshëm te krimi i organizuar. Sot ne nënshkruam një marrëveshje të re për të ndarë ADN-në mes forcave të rendit, për të përshpejtuar hetimet penale”, shkroi Patel.
Pas takimit në Londër me homologen e tij britanike, Priti Patel, ministri shqiptar i Punëve të Brendshme Bledi Çuci tha se bashkëpunimi dhe besimi britanik tek pala shqiptare në luftën kundër krimit është rritur ndjeshëm. Ndërkohë që theks i veçantë ju vu edhe çështjes së emigrimit legal nga Shqipëria drejt Britanisë.
“I bëra me dije homologes time britanike që ne nuk mund të luftojmë emigracionin e paligjshëm pa adresuar mirë emigrimin e ligjshëm. Gjeta mirëkuptim edhe nga homologia britanike dhe më vjen mirë që në agjendën britanike është edhe kjo gjë tashmë”, deklaroi ministri i Brendshëm i Shqipërisë Bled.
Deri në vitin 2000 emigrantët nga Shqipëria , paraqiteshin në Londër si shtetas të Kosovës duke përfituar njëherit edhe azilin. Shumica e tyre, sidomos ato të larguarit para viteve 2000m mbajnë emra të shtetasve të Kosovës, ndaj vetëm AND-ja mund të bëjë identifikimin e tyre. Shumica e tyre kanë dokumente të rregullta pasi kanë fituar azilin si shtetas të Kosovës. Profili i tyre në Shqipëri tashmë është i njohur. Ato njihen si njerëz që kanë vënë para të madhe dhe perceptimi i publikut është se kjo pasuri e para është vënë nga aktivitetet kriminale, kryesisht nga droga.
Edhe në Britani ato njihen si kapo që kanë vënë para e pasuri. Faktin e mbajtjes së dy emrave e ka pohuar pak ditë më parë edhe anëtari i Komisionit të Rendit e Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti i Malësisë së Madhe, Paulin Sterkaj, zonë kjo që ka një numër të madh emigrantësh në Angli.
Sterkaj tha në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare se emigrantët nga Shqipëria janë prej 25 vjetëve me dy emra, një prej Shqipërie e një prej Kosove dhe shteti britanik është treguar tolerant.
“Ju e dini se çfarë njerëzish kemi në Britani, Irlandë, Skoci, madje mund të jetë ndonjëri prej deputetëve ndonjë vëlla ndonjë kushëri që në Shqipëri e ka pasur emrin Agim atje e ka Sefer Kastrati, se ka ndërruar dhe emrin e jetojnë prej 25 vitesh në Angli e si ka luajtur kush. Ndaj ju lutem, po ka me dy emra, një shqiptar e një kosovar, e dinë ata po s’ju bëjnë zë shqiptarëve, ndaj bëhuni një fije më të gjerë, kjo marrëveshje nuk na shqetëson hiç, na hap mundësinë me komunikuar dhe me shtetin britanik dhe pse ka dalë nga Evropa”, tha Sterkaj.