Arbëri

Deri në dhjetor, Qeveria Hoti do të mbetet me 60 vota në Kuvend

Qeveria Hoti deri vitin e ardhshëm në Kuvend do të mbetet me 60 vota.

Kjo do të varet nga vullneti i deputetit që është në vuajtje të dënimit, Etem Arifi.

Nëse ai nuk dorëhiqet vullnetarisht edhe pse është dënuar me vendim të formës së prerë me më shumë se një vit burgim, sipas juristëve për të nuk vlen norma e Kushtetutës, që përcakton përfundimin e mandatit në momentin që një deputet dënohet me burg, raporton KOHA.

Sipas Ylli Zekajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Arifit do të mund t’i merrej mandati në legjislaturën e kaluar.

Nëse nuk dorëhiqet Arifi do të figurojë si deputet deri në dhjetor të këtij viti, kur i mbush 6 muaj mungesë në seancat plenare të Kuvendit.

Tek pas kësaj kohe Kuvendi do të mund të iniciojë procedurat për zëvendësimin e tij.

KOHA ka tentuar që për këtë çështje të marrë një përgjigje nga kabineti i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, por ata nuk janë përgjigjur.

Arifi, që është kryetar i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, është shpallur fajtor për përvetësim të subvencioneve të dedikuara për ashkalinj dhe egjiptianë në prill të 2018-s, nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Dënimin prej një viti e tre muaj burgim e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit në maj të vitit 2019.

Gjykata Themelore e Prishtinës në gusht të këtij viti kishte lëshuar urdhërarrest ndaj Arifit, pasi ai nuk ishte paraqitur për të vuajtur dënimin.

Arifi është vetëdorëzuar të martën e kësaj jave, pasi që ka qëndruar rreth dy muaj në arrati.

Ai e ka bërë të kontestueshme edhe kushtetutshmërinë e Qeverisë Hoti, pasi ishte njëri nga 61 deputetët që votuan pro formimit të Ekzekutivit.