Arbëri

Dera që rri e hapur për viktimat

Foto: Driton Paçarada

Fletët kanë filluar t’i harxhohen. Edhe pak ditë do të jetë fletorja e tretë që do t’i bashkohet raftit, ku kanë zënë vend gjërat e saj. Fletore që e improvizojnë ditarin. Një ditar që ajo e mban “gjallë” më shumë se katër muaj qëkur është strehuar në Qendrën Strehimore për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Jam shum e mërzitun, u ban katër muj e hala pa zgjidhje. Jam e humbur, s’po di kah t’ia maj, po faleminderit Qendrës Strehimore. Boll u munun ktu teta Shyret e teta Xhevë me m’kthy n’shpi tem e me m’bashku me fmit e mi, po kurrgjo hala. M’u ka lodh shpirti, po e lus Zotin me m’dhanë durim e forcë. Unë e di si ndihem brenda zemrës tem”, është njëri nga fragmentet, që M.M. (emër i njohur për redaksinë) e ka shkruar në fletoren e saj, me datën 20 të këtij muaji. Këtë fragment dhe disa të tjera nuk ka ngurruar t’i ndajë.

Kjo është hera e dytë që 30-vjeçarja i është drejtuar Qendrës në kryeqytet për ndihmë e strehim, pas dhunës fizike e psikike të ushtruar nga bashkëshorti i saj. Tre fëmijët, të cilët është detyruar t’i lërë në shtëpi, po i sheh rrallë dhe mallin për ta po e shpreh çdo natë pas darke duke shkruar. Këtë këshillë thotë se e ka marrë nga kujdestaret e Qendrës dhe kjo po i bën mirë.

Në po të njëjtën fletore ajo ka vizatuar një pemë dhe brenda trungut të saj ka shkruar fjalën “Dhuna”. Një pemë me pak degë dhe asnjë gjethe, me rrënjë të degëzuara nën tokë. Pa ngjyra, pa jetë, që të krijon ndjesinë e ftohtësisë.

Bashkë me të në Qendër, për momentin, është edhe një 30-vjeçare me foshnjën e saj disamujore. Edhe ajo për shkak të dhunës nga lidhja me një mashkull. Por gjatë katër muajve, M.M. ka takuar edhe shumë viktima të tjera.

Me secilën thotë se ka kaluar mirë dhe nuk ka pasur ndonjë mosmarrëveshje. Pakënaqësi nuk ka shprehur as ndaj stafit të qendrës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)