Sipërfaqja prej afro 4 hektarësh në Çagllavicë është një prej pronave të Radiotelevizionit të Prishtinës, që sipas Komisionit parlamentar për Planifikim dhe Zhvillim është tjetërsuar në mënyrë të jashtëligjshme.
Në mbledhjen e së martës, gjatë shqyrtimit të raportit të komisionit me gjetjet për pronat publike të tjetërsuara, deputeti i Vetëvendosjes, Milazim Salihaj, ka thënë se prona publike e RTP-së me 3.92 hektarë tashmë ndodhet e ndarë në 64 njësi me bashkëpronarë të ndryshëm.
“Prona publike është tjetërsuar në bazë të një dokumentacioni që dyshohet se është i falsifikuar. Në këtë rast vlen të ceket se prona publike është tjetërsuar edhe pasi që është marrë vendim nga Bordi i AKP-së më 22 dhjetor 2020 është marrë vendimi për likuidimin e ndërmarrjes shoqërore të RTP-së dhe edhe pas këtij vendimi është bërë tjetërsimi i pronës më 17.05.2022 dhe kjo automatikisht paraqet vepër penale”, ka thënë Salihaj.
Likuidimi i RTP-së ka filluar më 18 janar 2021 në bazë të vendimit që mori në dhjetor të vitit paraprak Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Salihaj ka prezantuar edhe gjetjet për një pronë që e ka në shfrytëzim Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Fakulteti Teknik. Ka thënë se ajo u tjetërsua ngjashëm përmes dokumenteve false, e për të cilat nuk ekzistojnë ato origjinale.
Salihaj ka paralajmëruar se gjetjet do të përcillen në Prokurori.
“Edhe rasti tjetër i tjetërsimit të pronës publike të Fakultetit Teknik është pothuajse i ngjashëm, edhe pse ka ndodhur më herët. Kemi kërkuar dokumentacione origjinale, nuk kemi mundur t’i sigurojmë ato as në Agjencinë e Arkivave të Kosovës, as në komuna. Ne këtë lëndë, këtë raport me të gjetura duhet ta adresojmë në Prokurorinë e shtetit për të vazhduar dhe ata që kanë keqpërdorur me pronë publike normal të dalin para organeve të drejtësisë”, ka thënë ai.
Edhe kryetarja e Komisionit parlamentar për Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli, propozoi që raporti të dorëzohet në Prokurori.
“E kemi konsultu Kuvendin dhe na ka sugjeru për shkak se autoriteti që merr vendim në këtë rast është Prokuroria, në këtë rast na ka sugjeru me dërgu si komision, por kjo nuk na ndalon neve me mbajt diskutim publik, me mbajt debat në Kuvend sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Pacolli.
Ndërkaq deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Salih Zyba, shprehu dyshime në organin e akuzës. Ai kërkoi disa herë që gjetjet fillimisht të adresohen në Kryesi të Kuvendit, me qëllimin që të thirret debat parlamentar dhe të themelohet komision hetimor.
“Asnjë interpretim ligjor nuk na e ka dhanë Zyra Ligjore, pse mos me procedu na në Kryesi. E ka zgjedh procedurën siç e thashë më të shkurtër: çone në Prokurori. Ku me e çu në Prokurori. Në atë shprehjen popullore: ‘cjapi te kasapi’. Ku po e çojmë ne lëndën, materien ndaj disa prej vendimeve që i ka marrë Agjencia”, ka thënë Zyba.
Me shumicën e votave të deputetëve të partisë në pushtet, raporti u procedua për diskutim në Kryesinë e Kuvendit.