Arbëri

Deputetët nuk sanksionohen për përfitim në emër të shpenzimeve për udhëtim

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje hoqën dorë nga paratë që i merrnin në emër të shpenzimit për udhëtim, vetëm pasi ato u bënë publike. Por, as në paraqitje publike dhe as pas pyetjeve të KOHËS, nuk treguan nëse do të merren masa ndaj ligjvënësve që morën para në emër të udhëtimit nga komuna jashtë Prishtinës, përkundër që jetojnë në kryeqytet. Mbi këtë formë përfitimi, nuk folën as në dy partitë kryesore opozitare: PDK dhe LDK.

Vetëm pasi ato u bënë publike, deputetët e Vetëvendosjes hoqën dorë nga paratë që i merrnin në emër të shpenzimit për udhëtim.

Këtë e njoftuan publikisht. Por, as në paraqitje publike dhe as pas pyetjeve të KOHËS, nuk treguan nëse do të merren masa ndaj ligjvënësve që morën para në emër të udhëtimit nga komuna jashtë Prishtinës, përkundër që jetojnë në kryeqytet.

Në shoqërinë civile e kanë kualifikuar si abuzim faktin që disa deputetë, që nga viti 2011 kanë realizuar të ardhura në emër të kompensimit për udhëtimin nga komunat ku nuk banojnë.

“Problemi qëndron se Drejtoria e Financave të Kuvendit nuk ka kompetencë që të mbikëqyrë në qoftë se deputetët kanë dhënë informata të sakta ose jo të sakta në raport me qëndrimin, vendbanimin e tyre. Në një farë forme përgjegjësia bie totalisht mbi deputetët të cilët në momentin kur regjistrohen si deputetë, para betimit japin të dhënat e tyre, përfshirë vendbanimin”, ka thënë Agnesa Haxhiu nga KDI.

Kompensimi është realizuar konform një vendimi të marrë më 2011 nga Kryesia e Kuvendit.

Ka deputetë si Blerim Grainca i LDK-së, i cili në vitin 2015, me një kërkesë drejtuar sekretarit të Kuvendit, pati hequr dorë nga pagesa e shpenzimeve të udhëtimit, nën arsyen se është nga Ferizaj, por jeton në Prishtinë.

Këtë nuk është njoftuar ta ketë bërë ndonjë deputet i LVV-së.

E, të premten kjo parti kërkoi nga Kryesia e Kuvendit, që të rishikojë vendimin për kompensimin e deputetëve. Ka thënë se nga 2010-ta, kur është bërë pjesë e Kuvendit, ka kërkuar që mëditjet të mos mbesin çështje e mëshirës apo përcaktimit individual, por të rregullohen formalisht.

“Po ashtu, në vitin 2018, grupi ynë parlamentar në kuadër të rishikimit të projektligjit për paga pati propozuar amendamentin numër 4 që tekstualisht thotë: ‘Deputetët nuk përfitojnë shtesa të tjera mbi pagën bazë’. Ky amendament nuk e pati marrë mbështetjen e deputetëve të PAN-it, dhe nuk pati kaluar”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes tha se përgjegjësia e deputetëve është individuale.

Interesimit të KOHËS për çështjen e kompensimeve të këtilla, nuk iu përgjigjën në dy partitë kryesore opozitare, PDK dhe LDK.

Ndërsa shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se është në dorën e shumicës parlamentare të vendosë për ndryshim të vendimit.

“Deputetët nuk kanë kurrfarë përgjegjësie. Ata e deklarojnë vendbanimin dhe administrata e Kuvendit në mënyrë automatike ua kalkulon shpenzimet. Po më informojnë që janë mbi 60 deputetë që janë kompensuar. Kjo ka qenë praktika ligjore”, ka thënë ai.

Në vendimin për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit, parashihet kompensimi për pjesëmarrje në seanca dhe komisione. Kompensimi bëhet për distancën në kilometra nga vendbanimi i deputetit deri në kryeqytet. Nëse deputetët banojnë deri në 30 kilometra larg Prishtinës, kompensohen me nga 10 euro, deri në 60 kilometra me nga 20 euro dhe mbi 60 kilometra me nga 30 euro.