Nga 29 pikat që kanë qenë në rend të ditës, deputetët gjatë seancës që ka zgjatur rreth tri orë kanë marrë vetëm një vendim, atë për zgjedhjen e Ilir Bytyqit për anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). E pikat e tjera kanë mbetur pa u shqyrtuar, pasi që ligjvënësit nuk janë kthyer në sallë pas pauzës së drekës
Me mungesë të kuorumit dhe me dështim të seancës është përcjellë të enjten mbledhja e parë e sesionit të fundit të legjislaturës aktuale në Kuvend.
Nga 29 pikat që kanë qenë në rend të ditës, deputetët gjatë seancës, që ka zgjatur rreth tri orë, kanë marrë vetëm një vendim, atë për zgjedhjen e Ilir Bytyqit për anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). E pikat e tjera kanë mbetur pa u shqyrtuar, pasi që ligjvënësit nuk janë kthyer në sallë pas pauzës së drekës.
“Kam menduar që mezi e keni pritur këtë sesion, por paska diçka jashtë më interesant, po më duket”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pasi e priti kthimin e deputetëve nga pauza.
Ndonëse kanë munguar në pjesën e seancës për shqyrtimin e projektligjeve, deputetët kanë marrë pjesë paraprakisht në debatin që u përcoll me polemika të ashpra pushtet-opozitë.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike (LDK) në opozitë, e ka kritikuar Qeverinë për mungesë të rezultateve në sferën e politikës së jashtme si dhe për prishje të raporteve me aleatët ndërkombëtarë.
“Këto janë pasoja serioze të kësaj politike. Kjo politikë nuk shpie askund përveçse në favorizimin e kundërshtarëve tanë historikë dhe rrezikimin e shtetësisë sonë ende të pakonsoliduar mirë. Ta kuptoni mirë se përtej fitoreve të vogla momentale për pak vota, qëndrojnë humbjet e mëdha të vetë shtetit e të vetë Republikës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Krahas për politikën e jashtme, deputetë të LDK-së e kanë kundërshtuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Armend Muja, i cili e ka kualifikuar si anë të fortë të Qeverisë aktuale performancën e treguar në fushën e ekonomisë.
“Po mos të ishim ne, ju them me përgjegjësi të plotë, se 1 miliard euro në buxhetin e shtetit nuk do të ishin dhe rrjedhimisht i gjithë financimi i shtesave për fëmijë dhe i gjithë financimi për ushtrinë do të mungonte”, është shprehur Muja.
Në kundërpërgjigje ndaj këtij pretendimi, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Muja është shërbyer me manipulime.
“Po zotëri, por qysh i keni marrë këto miliarda? I ke marrë prej xhepave të qytetarëve, prej xhepave të prindërve të fëmijëve të të cilëve deri sot ua ke dhënë 10 euro e tash në kohë të fushatës ua jep 20 respektivisht 30 euro”, ka theksuar ajo.
E në replikën ndaj Bajramit, deputeti Muja është penguar për një kohë që t’i shpalosë qëndrimet, si pasojë e goditjeve nëpër tavolina të deputetëve opozitarë.
Vazhdimi i debatit është përcjellë me kritika ndaj Qeverisë edhe për çështjet që ndërlidhen me shëndetësisë.
Bekim Haxhiu, deputeti i Partisë Demokratike (PDK), e ka kualifikuar si alarmant shifrën e mjekëve që kanë ikur nga Kosova, teksa i ka kontestuar renovimet që janë ndërmarrë në disa nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare (QKUK).
“Për të bërë promovime kur u inaugurua Klinika e Emergjencës, shtretërit merren nga spitali pediatrik për një promovim të kryeministrit Kurti, nga traumatologjia e fëmijëve. Kjo është edhe fatkeqësi, edhe tragjedi dhe paaftësi që në momentin e inaugurimit të Emergjencës të merren shtretërit nga traumatologjia e fëmijëve”, ka theksuar Haxhiu.
Këto pretendime të Haxhiut i ka quajtur të pavërteta ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai ka theksuar se më 2024 për të parën herë pas shtatë vjetësh ka rënë numri i mjekëve që janë larguar drejt vendeve të Perëndimit.
“Një e pavërtetë tjetër. Ne i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet që nuk shfrytëzohen brenda klinikave. Në klinikën aktuale emergjente janë shtuar tetë shtretër, kurse sa i përket Qendrës Emergjente, një projekt i filluar qysh nga vitit 2015, me 101 mijë telashe tash natyrisht është në OSHP e po presim përgjigjen për të vazhduar tutje, por nuk do të ketë më probleme”, ka deklaruar ai.
E nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Qeveria është kritikuar për mungesë të investimeve kapitale.
“Unë veç ju përgëzoj për këto punë të mira që po i bëni. Me pajisje të Kuvendit, me urë të Saradranit, krejt i keni kryer. Bravo!”, ka theksuar deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.
Deputetë të opozitës por edhe ata të koalicionit qeveritar kanë shprehur vërejtje edhe për subvencionimin e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit. Ata janë ankuar për çmimet e larta të librave që botohen në gjuhë të tjera, pos shqipes.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se janë duke u shqiptuar dënime për keqpërdorime.
“Kemi pasur vizita në librari dhe i kemi identifikuar shkeljet. E di që në disa raste tashmë janë shqiptuar dënimet ndaj shtëpive botuese, të cilat nuk e kanë respektuar legjislacionin në fuqi dhe do të merren veprime më tutje për secilin rast individual”, ka theksuar ajo.
Ligjvënësit gjatë seancës të së enjtes kanë pasur vështirësi që të marrin përgjigje në pyetjet parlamentare, për shkak të mungesës së kryeministrit Albin Kurti dhe të ministrave të tjerë në sallë.
Me propozim të opozitës, nga kjo seancë është tërhequr dhe është kthyer për shqyrtim në Komision Projektkodi i sjelljes së deputetëve, i cili parasheh sanksionime për ta.
Të enjten ka mbetur pa u trajtuar në lexim të dytë edhe Projektligji për shëndetin riprodhues dhe për fertilizim të asistuar mjekësor, i cili është duke u shqyrtuar në këtë fazë që prej një viti.
Në seancën e parë, pas pushimit verior prej mbi një muaj, deputetët kanë punuar me pajisje të reja të votimit elektronik, të cilat patën dalë jashtë funksionit para 4 vjetësh.