Pas rinovimit të hapësirave të Klinikës së Onkologjisë, deputetë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi vizituan pacientët dhe stafin. Mungesa e vazhdueshme e barnave nga lista esenciale përkundër rritjes së buxhetit, është një nga shqetësimet që ata ngritën. Përfaqësues të Klinikës insistuan se furnizimi është në nivel maksimal
Stafi i limituar i infermierëve, decentralizimi i shërbimeve onkologjike dhe mungesa e barnave nga lista esenciale, janë çështje që kanë ngritur deputetët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, gjatë vizitës në Klinikën e Onkologjisë. Disa nga pacientët i treguan KOHËS për mungesë të disa prej barnave për kemioterapi, të cilat thanë se i kanë siguruar jashtë QKUK-së. Mungesën e konfirmoi edhe drejtori i Klinikës, Ilir Kurtishi, por tha se 51 nga 57 barnat e listës esenciale ndodhen në Klinikë.
“I kemi 92 për qind të barnave të listës esenciale prezente në klinikën tonë, prej 57 barnave ne i kemi në klinikë sot 51 barna ose ilaçe, ndërkaq dy tre që janë duke u tenderuar ose duke ardhur nga Ministria e Shëndetësisë e nuk kanë pasur autorizim marketingun dhe shpresojmë brenda muajit gusht-shtator vijnë edhe ato. Janë dy tre barna të tjerë të cilët është dashtë me qenë këtu, por për probleme teknike nga operatori ekonomik nuk e kemi. Brenda muajit gusht ose shtator për herë të parë do të ndodhë që do të kemi 97-98 për qind të barnave të listës esenciale. Që pacientët të kenë qasje në trajtim në mënyrë të barabartë gjatë gjithë kohës”, ka thënë Kurtishi.
Ai ka vlerësuar se furnizimi aktualisht është në nivelin maksimal.
“Ne realisht jemi të furnizuar gati 100 për qind, meqenëse mungojnë 3 ose 4 barna. Ne i kemi barnat ndihmës ose që zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe mund t’i përdorim, kështu që furnizimi në Klinikën e Onkologjisë është korrekt dhe maksimal”, ka thënë Kurtishi.
Kurtishit i reaguan deputetët e opozitës të cilët kërkuan që niveli i përgjegjësisë së ShSKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet të jetë më i lartë. Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se përtej fasadës, shëndetësia ka nevojë për reformim të shërbimit shëndetësor.
“Kur e shohim që buxheti për barna është rritur e ankesat e qytetarëve për mungesa të barnave vazhdojnë të jenë prezentë, atëherë diçka nuk është në rregull në sistemin tonë shëndetësor”, ka thënë Haxhiu.
E deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se rinovimi i Klinikës ka qenë domosdoshmëri, porse nuk është i mjaftueshëm. Vërejtje për mungesën e barnave dha edhe Zemaj që ishte vite më parë ministër i Shëndetësisë.
“Ju thatë që është një kënaqshmëri, dorën në zemër, ne marrim çdo ditë kritika edhe nga njerëzit, tash ndoshta ka edhe përshkrime të barnave të tjera se ka edhe barna, nevoja të tjera, por nuk e di çdo kolegë këtu jemi, mos të mendohet se jam subjektiv, por sa herë që bisedojmë njerëzit na adresohen, ‘m’u dashtë me ble aty’, ‘m’u dashtë me dal këtu’, ‘s’është kjo’, ‘s’është ajo’. Ne kemi qenë shumë të kënaqur kur ka pasë rritje të buxhetit por jemi të pakënaqur kur dëgjojmë se ka pasur mungesë të terapisë”, ka thënë Zemaj.
Kritika rreth furnizimit shprehi edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
“Dëgjova informatën inkurajuese që na e dhatë ju me 90 e më tepër për qind të furnizimit me barna, por unë duhet të ju them diçka, unë nuk kënaqem me përqindje, unë kënaqem me 360-ditëshin e pranisë së barit brenda. Kjo është ajo. Pra d.m.th. kjo më intereson. Për arsye se ju jeni në pozitë të keqe kur njëri e merr e tjetri që vjen përskaj tij në shtratin e njëjtë nuk e ka”, ka thënë Dreshaj.
Gjatë vizitës, deputetë opozitarë ngritën shqetësimin edhe për mungesë të shërbimit të internetit, si pasojë e dëmtimit të kabllove gjatë rinovimit të klinikës.
“Kur bahen investime të tilla, sigurisht se dëshira e çdo njërit është që me kanë në rregull, por edhe ankesat pastaj kur vijnë që punë kryerësi e prenë kabllon optike e pastaj shërbimi i internetit mungon në klinikë, atëherë kjo pyetja për drejtorin, a ka pasur penalizim për punë kryerësin i cili e ka dëmtuar fibrin optik të klinikës gjatë punimeve, edhe prej që është rinovuar klinika ende nuk ka shërbim të internetit në klinikë”, ka thënë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Edhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, e cila është deputete e partisë në pushtet, tha se mungesa e këtij shërbimi përbën telashe edhe për pacientët.
“Çështja është që të lajmërohen pacientët nga zonat rurale, të largëta prej këtu, që nuk ka terapi, mos u nis për Prishtinë, kjo është një shërbim vetëm në vullnetin e mirë të stafit.... Duhet të bëni kërkesë te drejtori në punësimin e një personi mos të them si centralë që nëse nuk funksionon si e tillë që të lajmërohen me kohë, të mos marrin rrugë qytetarët”, ka thënë Kollçaku.
KOHA ka raportuar për mungesën e një ilaçi për imunoterapi, të cilin pacientët e kanë blerë jashtë vendit me çmim deri në 2 mijë e 500 euro.