Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu dhe Gazmend Gjyshinca janë larguar nga takimi i komisionit për Integrim Evropian.
Deputetja Arbëreshë Kryeziu në fillim të mbledhjes ka thënë që nuk e shohin të arsyeshme raportimin e ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, në një komision si ky i integrimit evropian e të raportojë për procesin e liberalizimit të vizave. Sipas Kryeziut, raportimi i ministres Haradinaj është thirrur pa aprovimin e komisionit.
Kjo ka nxitur reagimin e deputetes së PDK-së Blerta Deliu, e cila ka thënë se ka qenë ajo që e ka ftuar ministren për raportim dhe se një gjë e tillë është në fushë-veprimtarinë e komisionit.
“E kuptoj sjelljen e deputetëve të LVV-së, ndjej keqardhje për sjellje të tilla. Siç e dini, nuk kemi ministri të Integrimit Evropian, por kjo nuk do të thotë që kjo qeveri nuk e ka në agjendë një proces të tillë”, ka thënë Haradinaj - Stublla.
Haradinaj tutje ka folur edhe për liberalizimin e vizave. Ajo ka thënë se shumica e vendeve e përkrahin liberalizimin duke shtuar se në bazë të dhënave empirike Kosova nuk paraqet rrezik për këtë proces.
“Mund të them që shumica janë përkrahëse e përkrahin jo vetëm zgjerimin e vendeve të Ballkanit por edhe sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Në bazë të dhënave empirike Kosova nuk paraqet rrezik liberalizimi i vizave do të ndihmonte shkëmbimin mes shteteve. Kjo i prek më shumë studentët komunitetin e bizneseve e qytetarët. Kjo është një padrejtësi që i është bërë Kosovës qe një kohë shumë të gjatë. Njëjtë si me liberalizimin është pak a shumë e njëjta situatë edhe më çështjen e shteteve që nuk e njohin Kosovën”, ka thënë ajo.
Duke folur për moratoriumin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ajo ka thënë se duhet planifikim më i thukët dhe i saktë.
Ajo ka thënë se janë duke punuar me të gjitha institucionet sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
“Duhet një planifikim më i thukët dhe më i saktë sa i përket anëtarësimeve e normalisht që pa lirinë e lëvizjes nuk besoj që kishim me pas shanse reale për me u anëtarësua. Ministria është duke u përgatit me shfrytëzu vitin që sa ekziston moratoriumi për me qenë gati nëse kalon pandemia. Anëtarësimi nuk mundet me u bo në mënyrë virtuale. Të jemi të sigurt që jemi duke punu saktë me të gjitha institucionet e tjera sa i përket anëtarësimit(për organizata ndërkombëtare)”, ka thënë Haradinaj.