(E përditësuar 08:56) - Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për shantazh dhe përpjekje për ta nënshtruar administratën e Kuvendit, duke thënë se institucioni është marrë peng nga një parti politike.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se do të takohen me sekretaren e Kuvendit për zhvillimet e fundit dhe për të diskutuar një komunikatë të publikuar nga Kuvendi.
Ajo e ka cilësuar si “skandaloze” komunikatën, në të cilën thuhej se vizita e mërgimtarëve në sallën plenare gjatë ditës së djeshme ishte ndërprerë për disa minuta pasi deputetët e PDK-së dhe Aleancës e kishin zënë atë në një ditë kur nuk ishte thirrur seancë.
“Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie, e cila provon që përmes diktatit ta nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit”, ka deklaruar Deliu-Kodra brenda objektit të Kuvendit.
Sipas saj, Kuvendi nuk i përket asnjë partie politike, por të gjithë deputetëve të zgjedhur.
“Dua të ndaj me ju këtë shqetësim, sepse Kuvendi nuk është i një partie, i takon të gjithë deputetëve të zgjedhur që janë betuar dhe nuk mund që një parti ta shantazhojë administratën e Kuvendit”, u shpreh ajo.
Deliu-Kodra ka paralajmëruar se takimi me sekretaren e Kuvendit do të zhvillohet për të diskutuar rreth këtyre zhvillimeve, duke kërkuar që institucioni të mos, siç tha ajo, “merret peng nga vullneti dhe nënshtrimi që provon ta bëjë një parti politike”.
Zhvendosen në Kuvend deputetët e PDK-së
(E përditësuar 08:50) - Nga ndërtesa e Qeverisë, deputetët e PDK-së janë zhvendosur në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja e kësaj partie, Blerta Deliu, ka thënë se institucionet janë marrë peng nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një adresim për media ka thënë se Kuvendi nuk i takon vetëm një partie, por të gjithë deputetëve.
Deputetët e PDK-së ia zënë pritën Kurtit para Qeverisë
(08:33) - Disa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë duke qëndruar në hyrjen e Qeverisë në shenjë proteste për zhvillimet e fundit politike.
Deputetja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po i “uzurpon” zyrat e Qeverisë dhe tha se ai duhet të jetë në Kuvend, bashkë me deputetët, për ta konstituuar këtë institucion dhe për të formuar Qeverinë.
“Ne këtu jemi me një qëllim të vetëm: të kërkojmë rivendosjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë në vend. Kjo ndërtesë këtu është Qeveria e Republikës së Kosovës, në të cilën edhe unë, edhe profa Enver, e shumë prej nesh kemi pasur nderin të shërbejmë. Nuk ka privilegj e nder më të madh se me pas mundësi me i shërby vendit tënd, mirëpo edhe nuk ka krim më të madh se sa kur besimi i qytetarëve keqpërdoret, dhe zyrat e popullit uzurpohen. Këto zyra janë të uzurpuara nga një deputet. Dhe po aq sa ka të drejtë ai të jetë aty, po aq kemi të drejtë edhe ne. Kjo është e para”, tha ajo.
“E dyta, ai duhet të jetë në Kuvend, aty bashkë me ne, për të themeluar institucionet, për të konstituruar Kuvendin. Nuk jemi ne këtu me bë puq! Ne jemi këtu me i thënë Albin Kurtit: Eja në Kuvend, shumicën e ke, ndërroje qeverinë dhe ecim tutje. Por ai njeri jashtëligjshëm, pa asnjë lloj mbikëqyrje parlamentare, mbrëmë vonë ka marrë vendime. Kush janë ata që marrin vendime, me çfarë mandati, këtu në ndërtesë të Qeverisë? Pra, ne jemi këtu për me i thënë Albin Kurtit: eja në Kuvend, aty e ke vendin, t’i ndërtojmë institucionet e të ecim tutje”, tha ajo.
Çitaku ka shtuar se po qëndrojnë para objektit të Qeverisë për t’ia kujtuar Kurtit detyrën që e ka, duke shtuar se do të qëndrojnë aty derisa ky i fundit të vie.
“Jo, ne nuk jemi këtu të pengojmë. Domethënë, ai është bërë pengesë. Ne këtu jemi me ia kujtu detyrën. Kjo është Qeveria e Republikës së Kosovës e cila jashtëligjshëm është duke u qeverisur, në thonjëza, nga një deputet siç jam unë, siç janë dy kolegët e mi këtu. Nuk kemi me u ndalë. Do të rrimë këtu, do të presim sa të vjen ai që i thotë vetes Kryeministër, e më pas po ashtu ju njoftoj që do të jemi sërish në Kuvendin e Kosovës, do të përsërisim kërkesën formale-zyrtare për thirrjen e seancës nesër, sikurse që do të kemi edhe aktivitete të tjera për të cilat do t’ju mbajmë të informuar. Nuk është këtu qëllimi konferencë për shtyp se mundemi me e mbajtë kudo. Këtu jemi me e prit një njeri që jashtëligjshëm e ka uzurpuar këtë zyrë, e deputetëve të tjerë po u pamundëson themelimin e institucioneve”; tha ajo.
PDK-ja e Aleanca ftesë publike Deharit: Nesër jemi prezent në Kuvend nga ora 11:00
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, bashkë me atë të Aleancës, Besnik Tahiri, në një konferencë të përbashkët kanë folur për vazhdimin e seancës konstituive për Kuvendin e Kosovës.
Tahiri ka thënë se Aleanca i është përgjigjur ftesës së PDK-së dhe se shpreson se do t’i përgjigjen pozitivisht edhe të tjerat.
“Jemi këtu t’i bëjmë ftesë publike kryesuesit Dehari por edhe LVV-së e cila po e pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës si rezultat i abuzimit të tyre përmes kryesuesit për të mos e ftuar seancën e cila është obligim ligjor dhe kushtetues për t’u ftuar çdo 48 orë. PDK-ja do të jetë nesër prezente. Edhe Aleanca i është përgjigjur ftesës për të qenë nesër prezente në sallën e Kuvendit të Kosovës nga ora 11:00. Presim që të përgjigjen edhe subjektet e tjera”, ka thënë Tahiri.
Tahiri i Aleancës ka thënë se edhe ata do të jenë nesër në Kuvendin e Kosovës nga ora 11:00. Po ashtu bëri të ditur se kanë kërkuar takim me kryesuesin e seancës, Avni Dehari, në mënyrë që të zhvillohet kjo seancë porse nuk kanë pranuar përgjigje.
“Sot kemi dërguar një kërkesë zyrtare në koordinim me partitë politike që kanë qenë në opozitë, kemi kërkuar takim me kryesuesin Dehari në mënyrë që nesër në ora 11:00 kur të kalon 48-orëshi të ndodhë seanca. Nuk kemi pasur përgjigje dhe asnjë konsiderim të ndodhë Kuvendi. Kur ne e shohim që ka nis shpërbërja e institucioneve duke filluar nga Kuvendi, atëherë nuk na mbetet tjetër veçse t’i provojmë rrugët institucionale e pastaj t’i bëjmë veprimet tona politike në funksion të kthimit të rendit kushtetues”, ka thënë Tahiri
Ata kanë shpresuar se do të jenë të gjithë deputetët nesër në seancë.
Tahiri i PDK-së ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje për këtë ftesë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Haxhiu i reagon PDK-së: Stafi i Kuvendit s’është palë në betejat politike
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar si presion ndaj administratës së Kuvendit kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për takim e sqarim me sekretaren e Kuvendit lidhur me një komunikatë të lëshuar nga ky institucion mbi zhvillimet e fundit.
Haxhiu ka thënë se mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes akterëve politikë që kanë përgjegjësi politike, derisa partive opozitare u ka thënë se për vërejtje ndaj punës së saj t’i drejtohen personalisht e jo përmes zyrtarëve të Kuvendit.
PDK-ja akuzoi LVV-në për shantazh dhe përpjekje për ta nënshtruar administratën e Kuvendit, duke thënë se institucioni është marrë peng nga një parti politike. Haxhiu ndërkohë ka kërkuar që pretendime të tilla të paraqiten me fakte.
“Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale. Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë. Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”, ka shkruar ajo në Facebook.
Tutje Haxhiu ka shtuar se stafi i Kuvendit nuk duhet të trajtohet si palë në beteja politike.
Tahiri i kërkon takim Deharit për “përgatitje dhe koordinim për seancën e nesërme”
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, i ka kërkuar sot takim kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës së Kuvendit.
Tahiri ka thënë se në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe afatit 48-orësh, seanca duhet të mbahet të premten (nesër).
“Sot i kam drejtuar një kërkesë Kryesuesit të Seancës Konstituive, z. Avni Dehari, për zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës, e cila, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit, duke theksuar se kjo bëhet në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe respektimit të procedurave parlamentare.
“Pres konfirmimin e kohës dhe vendit të takimit”, ka deklaruar Tahiri.
Pas takimit, Tahiri ka njoftuar se do t’u drejtohen mediave në hollin e Kuvendit.
PDK-ja e Aleanca vazhdimisht po i bëjnë thirrje Deharit që të caktojë vazhdimin e seancës konstituive çdo 48 orë. Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se seanca nuk do të thirret pa një marrëveshje mes partive.

PDK-ja dorëzon kërkesën që seanca konstituive të vazhdojë nesër
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kërkesën që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet nesër, 14 gusht.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se kërkojnë respektimin e Kushtetutës.
“Kemi dorëzuar në emër të PDK-së kërkesën në drejtim të kryesuesit të seancës Deharit për mbajtjen e vazhdimit të seancës për nesër në ora 11 siç kërkon rregullorja”.
Gruda ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
“Funksionin e deputetit po na pamundëson me ushtru LVV-ja. Në emër të partisë i bëj thirrje deputetit Kurti ta lejojë Deharin ta thërrasë seancën. Deharit nuk i takon ta japë asnjë vlerësim politik, ka rol teknik për ta thirrur seancën dhe për ta realizuar atë”, ka thënë ai.
PDK-ja edhe para dy ditësh ka dorëzuar kërkesë të ngjashme për vazhdimin e seancës konstituive. Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se seanca nuk do të thirret pa pasur një marrëveshje mes partive.
Seanca konstituive e 6 gushtit mbeti e papërfunduar. Ka mbetur votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve. Kryeministri në detyrë Albin Kurti dy herë kërkoi që seanca të shtyhet për t'i dhënë kohë shtesë një marrëveshje të mundshme për presidentin.
