Deputetët e Kuvendit dhe Qeveria janë duke lobuar ndaras në Këshillin e Evropës, pa koordinim dhe një strategji të përbashkët. Kur kanë mbetur pak ditë para se të vihet në lëvizje vendimmarrja sa i përket aplikacionit të Kosovës, ligjvënësit thonë se janë të fokusuar në lobim me homologët e tyre në Asamblenë Parlamentare. E, raportuesja për Kosovën, Dora Bakojanis, ka lënë dilema nëse raporti i saj do të miratohet
Lobim ndaras nga Qeveria janë duke bërë deputetët e Kuvendit, në pritje të vendimmarrjes për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE). Këtij procesi nuk i ka paraprirë një koordinim mes dy institucioneve, kur ka mbetur më pak se një javë nga shqyrtimi dhe votimi i raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, por e cila ka lënë dilema nëse dokumenti do të miratohet.
E deputetë të Kuvendit thonë se lobimin e kanë përqendruar në këtë mekanizëm, tek shtojnë se nuk janë konsultuar nga Qeveria për ndonjë strategji të përbashkët.
“Ne si delegacion jemi duke e kryer punën tonë me Asamblenë Parlamentare. Sa i përket Qeverisë, nuk e di nëse është duke punuar intensivisht në Komitetin e Ministrave, takimi i të cilit mbahet në maj. Më 27 mars ne do të jemi në Francë, ku mbahet takimi i Komitetit për Çështje Politike, më pas është votimi prej 15-19 prill në Asamble”, ka thënë anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Ariana Musliu-Shoshi, e cila është deputete e PDK-së. “Kështu që kjo është puna e deputetëve, sepse votimi bëhet nga homologët tanë në Këshillin e Evropës. Në anën tjetër, është Komiteti i Ministrave që duhet të vendosë pasi të jepet opinioni nga Asambleja Parlamentare dhe aty është punë e Qeverisë”.
MPJ-ja s’flet për strategji e koordinim
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk kanë ofruar sqarime nëse ka strategji dhe koordinim me institucionet e tjera në këtë proces lobimi.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, u shpreh optimiste se Kosova do të arrijë t’i sigurojë dy të tretat e votave. Ajo nuk mendon që pesë shtetet jonjohëse të pavarësisë do ta pengojnë anëtarësimin.
“(V.j. Pesë vendet mosnjohëse) nuk mendoj se do ta kenë votën pro Kosovës, por mendoj se ata nuk kanë për ta penguar Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sepse ne nuk na nevojitet vota unike, por 2/3 e votave, të cilat do të vijnë në mes të prillit. Ne i kemi dukshëm më shumë se 2/3 sepse përkrahja për anëtarësim të Kosovës në KiE është vërtet jashtëzakonisht e madhe”, ka thënë Gërvalla. “Unë jam tepër optimiste që muaji prill do të na zërë me votën masive të delegatëve, pra të Asamblesë Parlamentare. Nuk mund të japë asnjë parashikim se çfarë do të ndodhë pas prillit deri në maj. Na nevojitet një punë kolosale që t’i bindim kryeqytetet që Kosova e ka vendin në Këshillin e Evropës”.
Dilemë dhe monitorim
Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, në një prononcim për mediat serbe ka lënë të hapur dilemën nëse do të kalojë raporti i saj në fund të marsit ose jo.
“Ne nuk kemi një datë. Duhet të plotësohen shumë parakushte derisa raporti të jetë gati. Ne patëm një sukses të madh në rajon ditët e kaluara, që ishte rikthimi i pronës së Manastirit të Deçanit. Kjo tregon një shenjë të qartë se ekziston synimi i autoriteteve në Prishtinë që t’i binden sundimit të ligjit dhe të fillojnë reformat e nevojshme për statusin e sigurt të minoritetit serb”, ka thënë ajo.
Bakojanis ka theksuar se është plotësisht e vetëdijshme se ka ende një listë të gjatë të rasteve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, si dhe me “rezistencën e fortë të Prishtinës në fronte të ndryshme”.
“Të gjitha ato shqetësime në lidhje me statusin demokratik të situatës së minoritetit serb do të përmenden në detaje në raportin që përmenda”, ka thënë ajo. “Unë do të rekomandoj monitorimin e Kosovës nga Këshilli i Evropës – një proces post-monitorues që mund të fillojë nëse Këshilli i Ministrave vazhdon me votën e tij, sepse ata janë përgjegjës për marrjen e vendimeve. Raporti im për të gjithë kolegët paraqet gjendjen aktuale në lidhje me të drejtat e njeriut, progresin e arritur në zbatimin dhe miratimin e ligjeve. Nëse raporti miratohet, atëherë do të hyjmë në procesin e post-monitorimit”.
Bakoyannis ka sqaruar se postmonitorimi është një proces në të cilin anëtarët e Komitetit Politik monitorojnë çdo hap që duhet të zbatohet para Këshillit të Evropës.
“Prishtina duhet të pajtohet që t’i zbatojë ato hapa në muajt e ardhshëm. Kështu bëhet në të gjitha vendet, kështu do të monitorohet edhe në Kosovë në rast se Komiteti i Ministrave vendos ta pranojë Kosovën anëtare të Këshillit të Evropës”, ka thënë Bakoyannis.
“Kritere shtesë”
Shpresat e Qeverisë për anëtarësim u shtuan pasi kryeministri Albin Kurti e urdhëroi Agjencinë Kadastrale që t’ia bartë Manastirit të Deçanit pronën rreth 24-hektarëshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.
Me gjithë pritjen e Qeverisë që vendimi për pronat e Manastirit do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Prishtinë përmendi edhe dy kushte të tjera – Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shpronësimet në veri.
Këto çështje përmenden edhe në raportin e juristëve të Këshillit të Evropës mbi Përshtatjen e Sistemit Ligjor të Kosovës me standardet e kësaj organizate, i publikuar fundvitin e kaluar. Sipas raportit, përfaqësues të Komunitetit Ndërkombëtar, përfshirë OSBE-në, BE-në, EULEX-in dhe SHBA-në, kanë shprehur shqetësime të thella për shpronësimet në veri pasi që procedura e ndjekur nuk ishte në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës.
“Ndër të tjera, vendimet nuk identifikonin, siç e kërkon neni 44 i Kushtetutës, qëllimin publik apo interesin publik që i bën të nevojshme këto shpronësime. Megjithatë, përgjithësisht supozohet se synimi është ndërtimi i stacioneve policore në ato prona. Kjo mënyrë e procedimit nuk është në përputhje me sundimin e ligjit dhe ka gjasa të jetë e tillë që minon edhe më tej besimin ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës. Autoritetet gjithashtu duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për t'ia komunikuar publikut të gjerë arsyet e shpronësimeve”, konstatohet në raportin e ekspertëve.
Po ashtu, avokatët e Këshillit të Evropës kanë evidentuar të mos kenë parë vullnet nga ana e Qeverisë për zbatimin e Asociacionit. Ekzekutivi është kritikuar edhe për përdorim të tepruar të forcës policore gjatë tensioneve në veri.
Kushtet e plota dhe niveli i zbatimit të vendimeve të gjykatave do të bëhen të ditura në raportin e raportueses për Kosovë, Dora Bakojanis, i cili pritet të publikohet ditët në vijim.
Në anën tjetër, Serbia është duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Madje presidenti serb, Vuçiq, e ka quajtur lajm të keq anëtarësimin e Kosovës tek ka akuzuar edhe ndërkombëtarët për mashtrim.
Procedura deri në anëtarësim
Në Komisionin për Politikë dhe Demokraci, i cili do të takohet më 27 mars, raporti duhet të votohet nga 1/2 e anëtarëve, që i bie 27 deputetë. Nëse kalohet kjo fazë, atëherë çështja mund t’i kalojë për votim Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Në faqen zyrtare të Asamblesë Parlamentare janë listuar çështjet që pritet të diskutohen në sesionin pranveror nga 15 deri më 16 prill. Në fokus do të jenë vdekja e opozitarit rus, Aleksej Navalni, dhe lufta në Ukrainë.
“Një debat urgjent mbi ‘vdekjen e Aleksej Navalni dhe për nevojën për t’iu kundërvënë regjimit totalitar të Vladimir Putinit e luftës së tij kundër demokracisë’ do të jetë një pikë kryesore e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në Strasburg më 15-19 prill. Krahas këtij debati do të jetë raporti mbi ‘ndalimin arbitrar të Vladimir Kara-Murza dhe persekutimin sistematik të protestuesve kundër luftës në Rusi dhe Bjellorusi’, së bashku me një raport të tretë që propozon sanksione kundër atyre që janë të përfshirë drejtpërdrejt në ndalimin e Kara-Murza, dënimin dhe helmimin e mëhershëm të tij”, shkruan në faqen zyrtare.
Lidhur me këtë, Asambleja do të diskutojë propozimin që të përdoren asetet e ngrira shtetërore ruse për të ndihmuar rindërtimin e Ukrainës.
Asambleja, po ashtu, pritet të miratojë një opinion për Projekt-Konventën e re Kornizë për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit.
Pikat e tjera kryesore të sesionit përfshijnë një debat mbi lirinë e shprehjes dhe të drejtat e komunitetit LGBTI.
Do të ketë gjithashtu debat për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në internet, për forcimin e perspektivës rinore në punën e Asamblesë dhe për marrëdhëniet midis mazhorancës dhe opozitës.
Sipas faqes zyrtare, parlamentarët do t’i trajtojnë propozimet për t’i dhënë fund monitorimit të plotë të Shqipërisë dhe dialogut postmonitorues me Bullgarinë.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022. Më 24 prill 2023, aplikacioni i ishte përcjellë për konsultim sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Si rezultat i kësaj, me propozim të presidentit, Asambleja Parlamentare caktoi juristët për ta përpiluar raportin për Kosovën.
Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.
Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat qëndron Këshilli i Evropës.