Deputetë të pushtetit e ata të opozitës u përplasën në Komisionin për Ekonomi lidhur me emërimet politike në ndërmarrje publike. Temë kryesore u bënë aktakuzat e aktgjykimet ndaj tyre për korrupsion
Deputetët e pushtetit e ata të opozitës e kanë devijuar diskutimin në Komisionin për Ekonomi, të martën, ku ishte paraparë të organizohej një diskutim për sfidat në zbatim të legjislacionit nga institucionet ligjzbatuese dhe ndërmarrjet publike në sektorin e shërbimeve të ujit.
Polemikat janë iniciuar nga deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili ka thënë se për tre vjet qeverisje ekzekutivi ka dështuar ta përmirësojë sektorin e shërbimeve të ujit.
Ai e ka akuzuar pushtetin e deputeten e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila se vitin e kaluar e kanë emëruar kryeshef të KRU “Gjakova” një person i cili në fillim të marsit është raportuar në media se ishte arrestuar në Bullgari pas një një urdhërarresti të INTERPOL-it, nën dyshimet për trafikim me njerëz.
“Me të vërtetë Gjakova ka qenë shembull. Por, laboratori nuk është kryer në mandatin tuaj. Por atë shembull të mirë e keni ndërruar, e keni sjellë njeriun politik që sot është i burgosur për trafikim”, ka thënë Lekaj.
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Kusari-Lila, kërkoi të mos diskutohet për të, teksa foli për një vendim që ka të bëjë me deputetin e AAK-së.
“Pal, mos hyj në akuza, akuzat i vërteton gjykata. Ai është me aktakuzë, nuk është me vendim të gjykatës. Ti ke vendim të gjykatës”, ka thënë ajo.
Por, Lekaj dha një përgjigje.
“Po e kam, por më fal, nuk e kam për trafikim. Politikisht e keni sjellë dhe sot ku është, sot është në burg, në Itali”.
Debati mes tyre vazhdoi duke ia përmendur njëri-tjetrit akuzat e aktgjykimet nga gjykatat për korrupsion.
“Turp duhesh me pasë, ti ki aktgjykim për burg o Pal”, ka deklaruar ajo.
Lekaj vazhdoi me kundërakuza.
“Punë e madhe, punë e madhe, unë jap (përgjegjësi) për vete. Edhe ti ke pasë”, ka thënë ai.
“Për burg jo. Unë jam shpallur e pafajshme për dallim prej teje”, ka shtuar Kusari-Lila.
Lekaj polemikën me zë të lartë e vazhdoi edhe me deputetin e LVV-së, Driton Hyseni.
“Ju jeni i dënuar me vendim të gjykatës”, ka përsëritur Hyseni.
“Po, edhe çka? Unë jam krenar për punën që e kam bërë”, ka shtuar Lekaj.
“Edhe gjykata ta ka vërtetu krenarinë tënde”, vijoi Hyseni.
Takimi për zbatueshmërinë e ligjit nga ndërmarrjet publike të shërbimeve të ujit u caktua të mbahej më 2 prill, ku u vendos që në diskutim të përfshihen një varg përfaqësuesish të institucioneve.
Ndërkaq ky komision ia përcolli seancës plenare shqyrtimin e një projekt-rezolute për raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2022.