Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i ka kaluar dy marrëveshje që Kosova i ka arritur me Shqipërinë e që kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore dhe me lehtësirat doganore ndërmjet dy shteteve. Deputetët e opozitës kanë kritikuar përmbajtjen e projektligjeve me të cilat kërkohet të ratifikohen marrëveshjet, por u kanë dhënë mbështetje atyre me kushtin që t’iu dërgohen disa sqarime me shkrim.
Marrëveshja për sigurime shoqërore dhe ajo për lehtësira doganore mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës, të mërkurën.
Por, deputetët e opozitës para se t’i votonin projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve kanë kërkuar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, që t’ua qartësojë me shkrim paqartësitë që opozita ka pretenduar t’i kenë evidentuar.
Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tek i është referuar Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore, ka thënë se draft-dokumenti duket sikur të ishte i përkthyer nga ndonjë gjuhë e huaj.
Ai e ka kritikuar ministrin Murati për të cilin ka thënë të kishte shkuar i papërgatitur në komision.
“Nëse nuk jeni në gjendje, e shtyjmë në mbledhjen tjetër. Ju nuk e dini përmbajtën e marrëveshjes. Marrëveshja është e rëndësisë së veçantë dhe e mbështesim. Unë propozoj ta votojmë këtë marrëveshje”, ka deklaruar Hoti.
Të njëjtën linjë të kritikës e ka përdorur edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku.
“Për mua është shqetësuese që ju vini i papërgatitur. Unë mbështes shqetësimet e zotëri Hotit. Ne jemi që në parim ta mbështesim këtë marrëveshje, por është mirë të jepen sqarime nga ministri për këtë marrëveshje me Shqipërinë”, ka thënë Lushtaku për Marrëveshjen e Sigurimeve Shoqërore.
Nevojën për sqarime të draft-dokumenteve pos deputetëve të opozitës e ka theksuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Armend Muja, i cili është kryetar i Komisionit Parlamentar për Buxhet.
Për këtë ministri Hekuran Murati ka pranuar që grupeve parlamentare t’iu dërgojnë sqarime në formë të shkruar për paqartësitë të cilat ato paraprakisht do t’i specifikojnë.
“Çështje teknike mund të adresohen me shkrim”, ka thënë Murati, teksa ka kërkuar që të saktësohen nenet e paqarta.
Megjithatë, Murati ka theksuar se më e rëndësishme sesa gabimet teknike janë marrëveshja që qytetarët e Kosovës që kanë punuar në Shqipëri do të kenë të drejtë ta marrin pensionin në Kosovë.
Por, Hoti e Lushtaku kanë thënë se projektligji ka probleme substanciale, jo veç teknike.
E, Murati ka insistuar se ato janë vetëm çështje teknike.
Pos deputetëve të opozitës që kanë kritikuar gjuhën e komunikimit në draft-dokumentet, për paqartësi kanë folur edhe ligjvënës të partisë në pushtet.
Eman Rrahmani, deputet i LVV-së, ka pyetur për zyrën doganore që Kosova do ta ketë në Durrës.
Bazuar në marrëveshjen për lehtësira doganore, në Durrës do të jetë një zyrë logjistike për mallrat që do të importohen në Kosovë.
“A do të përfshihen edhe bizneset e Shqipërisë në këtë zyrë doganore apo vetëm ato që kalojnë tranzit”, ka pyetur Rrahmani.
Përgjigjja e Muratit ka qenë se është e vështirë nga aspekti logjistik që të gjitha produktet importuese nga Shqipëria ta përdorin atë zyrë doganore.
Projektligjet për të dyja marrëveshjet me Shqipërinë do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për ratifikim. Ato janë dy nga 13 marrëveshjet që janë arritur ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në nëntorin e vitit të kaluar, kur qeveritë e të dyja vendeve kanë realizuar një takim të përbashkët.