Arbëri

Deponinë ilegale afër KFOR-it në Pejë nuk ka kush ta largojë

Afër bazës ushtarake të KFOR-it italian “Villaggio Italia” në Pejë, nga persona të pandërgjegjshëm sërish janë hedhur mbeturina. Jo vetëm krijimi i deponisë ilegale, por edhe pamundësia për ta larguar atë është kthyer në çështje diskutimi mes institucioneve komunale dhe përfaqësuesve të misionit ndërkombëtar.

Nexhat Abdullahi, drejtor i kompanisë rajonale të mbeturinave “Ambienti”, i ka thënë KOHËS se largimi i asaj deponie nuk është përgjegjësi e kësaj kompanie.

“Nuk është punë e jona me u marrë me ato mbeturina. Është obligim i Komunës me organizua largimin e mbeturinave dhe pastrimin e vendit. Dhe nga ne nuk ka kërkuar askush që t’i largojmë mbeturinat”, ka thënë Abdullahi.

E në Komunë thonë se në këtë lokacion edhe më herët janë hedhur mbeturinat dhe herën e fundit, siç thotë drejtoresha e Shërbimeve Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi, Komuna e kishte pastruar parvjet atë deponi me një operator privat. Çeku-Kelmendi tregoi se për mbeturinat e hedhura në zyrën e saj kanë qenë përfaqësues të KFOR-it, të cilët kanë kërkuar pastrimin e zonës.

Meqë Komuna nuk e ka makinerinë për largimin e mbeturinave, Çeku-Kelmendi ka thënë se është kërkuar bashkëpunim me KFOR-in.

“Konkretisht kam kërkuar nga KFOR-i që të na e sigurojë një buldozer dhe kompania ‘Ambienti’ e bën bartjen e mbeturinave. Por ata na thanë se nuk kanë buldozer. Tash ka mbetur nëse KFOR-i mundet me na mbështet me karburant, që së paku një kompani private që e dërgojmë me buldozer me ngarkua mbeturinat, me i ndihmua me karburant, se unë nuk kam mundësi ligjore si me e mbulua atë shpenzim. Kështu që ne i bartim mbeturinat e ngarkesën e mbeturinave ia kam lënë KFOR-it”, tregoi ajo për KOHËN.

Pjesëtarët e KFOR-it, tregon Çeku-Kelmendi, kanë rrëfyer se hedhja e mbeturinave rëndom ndodh natën dhe se për këtë kanë njoftuar edhe policinë, por se nuk ka pasur reagim.

Për subjektet që hedhin mbeturina është pyetur KFOR-i Italian, por deri në momentin e raportimit nuk është dhënë përgjigjja. KOHA ka kontaktuar edhe policinë në Pejë për të komentuar mosreagimin e tyre.

“KFOR-i ka thirrur policinë? E policia nuk ka reaguar? Nuk mund të ndodhë kjo kurrë. Kurrë nuk ndodh mos me u përgjigj policia. Jo veç KFOR-it, por çdo kujt”, pohoi zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi, pa sqaruar nëse ka thirrur KFOR-i për atë deponi.

KOHA ka tentuar të kontaktojë edhe drejtorin e Inspektoratit Komunal, Leotrim Murtezaj, por ai nuk ka qenë i qasshëm.