Arbëri

Denoncoi në KTV presionin që iu bë për drejtor në Shërbimin Korrektues, ndaj tij hapet procedurë disiplinore

Për deklarata të dhëna në “Kohavision”, ish-kandidati për drejtor të burgjeve të Kosovës, Ali Gashi, është hetuar nga Inspektorati i burgjeve të Kosovës.

Kjo është bërë me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Pas hetimeve, kryeinspektori me dy inspektorë të tjerë ka ardhur në përfundim se Gashi duhet të dalë para Komisionit disiplinor të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Gashi, këtë të hënë, për rreth një orë u është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këtij komisioni.

Komisioni pritet të vendosë për masat disiplinore që do t’i marrë ndaj Gashit.

Ai, gjithashtu, në intervistën dhënë televizionit, kishte akuzuar drejtorin e burgjeve Nehat Thaçin se, që nga koha që udhëheq me Shërbimin Korrektues, nga dy sektorë sa duhet t’i ketë Drejtoria për të Miturit në Prishtinë, janë shtuar edhe dy të tjerë.

Ish-kandidati për drejtor të burgjeve, pas ankesës së të cilit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës kishte kërkuar anulimin e konkursit, thotë se ministri Tahiri nuk ka të drejtë ta dërgojë atë në Komision disiplinor.

Por, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se kur në publik dalin deklarata të tilla për keqpërdorime, nuk mund të rrijë indiferent.

Për këtë, Tahiri thotë ta ketë kërkuar hetimin në Shërbimin Korrektues.

Tahiri nuk ka dhënë detaje të raportit të Inspektoratit nëse qëndrojnë akuzat e Gashit, me arsyen se dokumenti në fjalë është i brendshëm.

Ministria e Administratës e kishte konsideruar të ligjshme zgjedhjen e Nehat Thaçit në pozitën e drejtorit të burgjeve, ndërkaq vendimin e Këshillit Mbikëqyrës për anulimin e konkursit e kishte dërguar në Gjykatë, e cila pritet të vendosë lidhur me rastin.