Arbëri

Denoncohet në Speciale gjetja e KOHËS për abuzimin 5-milionësh në tenderin për mirëmbajtjen e urave

Në Prokurorinë Speciale është deponuar një dosje, për të cilën zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se përmban fakte të mjaftueshme për të evidentuar një korrupsion të hapur dhe brutal që lidhet me tenderin për mirëmbajtjen e urave në rrugët regjionale dhe rajonale të Kosovës.

“Kontrata është nënshkruar në mars të vitit 2018, në kohën e ministrit Pal Lekaj. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 500 mijë euro, e cila ishte bërë publike në platformën elektronike. Në fund kjo kontratë kishte përfunduar në vlerën 5 milionë e 300 mijë euro”, tha zëvendësministri Durmishi, pas dorëzimit të dosjes në Prokurori.

Në fillim të muajit qershor, KOHA raportoi për procedurë të pazakontë dhe të dyshimtë prokurimi, që është zbatuar tre vjet më parë në Ministrinë e Infrastrukturës në tenderin “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës 2017-2019”.