Arbëri

Në Këshill të Evropës dënohet sulmi terrorist në Banjskë

Anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë dënuar sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, teksa Serbisë i është kërkuar që të mos ndërhyjë në Kosovë. Në debatin për situatën në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan që Serbia të merret në përgjegjësi. E përfaqësues të vendit fqinj akuzuan kryeministrin Kurti për, siç kanë thënë, politikat persekutuese ndaj serbëve të Kosovës

Shtensionim të situatës në veri pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe kthim të palëve në tryezën e dialogut kanë kërkuar anëtaret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Gjatë diskutimit për Kosovën të hënën, në mekanizmin ku Kosova nuk është anëtare, por marrin pjesë deputetë të saj me të drejtë fjale, u theksua domosdoshmëria e zbardhjes së të gjitha rrethanave të sulmit të 24 shtatorit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se prapa sulmit qëndron Serbia duke shtuar se ajo po vazhdon ta strehojë grupin sulmues.

"Më 24 shator, në fshatin Banjskë të Zveçanit, u shkaktua sulm terrorist ku një grup i armatosur vrau një polic dhe lëndoi dy të tjerë. Serbia, që është anëtare e këtij institucioni, mbështeti këtë grup paramilitar me armë të rënda. Serbia po vazhdon t'i mbështesë dhe t’i fshehë të gjitha ata sulmues. Është në përgjegjësinë tonë që ta dënojmë terrorizmin dhe të gjitha format e tij”, ka thënë Gashi. Sipas tij, prezenca e kampeve të trajnimit në Serbi nuk është vetëm shkelje e normave ndërkombëtare, por edhe kërcënim për rajonin.

“Ne duhet të qëndrojmë bashkë dhe të solidarizohemi kundër terrorizmit. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që t'i lëvizë trupat nga Kosova. Prezenca e trupave ushtarake ka potencial për përshkallëzim dhe prishje të paqes. Ne besojmë se dialogu për paqe çon në zgjidhjen e problemeve", ka potencuar Gashi.

E nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, u është kundërpërgjigjur anëtareve serbe duke treguar shenjat në duar që i ka nga plumbat e marrë nga ushtria serbe si 13-vjeçare. Në masakrën e 28 marsit të vitit 1999 u vranë nga njësia paraushtarake serbe “Akrepat” 16 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu. Saranda Bogujevci iu mbijetoi 16 plumbave.

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atëbotë ishte udhëhequr nga njerëzit që ende udhëheqin Serbinë tash. Si 13-vjeçare unë mbeta e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba. Sot kam ende këto shenja në dorë, e pjesët e tjera të trupit tim. E të shoh 25 vjet pas, që vazhdimisht sulmohemi verbalisht dhe në mënyra të tjera, së fundi edhe me sulm terrorist, është e papranueshme. Mjaft është mjaft! Kurrë nuk ka pasur kërkimfalje, nuk ka pasur asgjë të ndërmarrë për të sjellë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tash. Njerëzit që kryen sulm terrorist më 24 shtator janë në Serbi e nuk po gjykohen”, ka thënë Bogujevci.

Ndërkohë përfaqësuesja e Serbisë në Këshillin e Evropës e ka fajësuar shefin partiak të Bogujevcit, njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, për, siç ka thënë, politikat persekutuese ndaj serbëve në veri.

"Republika e Serbisë shpreh keqardhje për ngjarjen në Kosovë. Serbia është e përkushtuar për dialog dhe paqe, por problem është regjimi i Kurtit. Në Banjskë tre serbë u vranë nga një distancë e afërt edhe pse i kishin lënë armët, një tjetër u gjuajt në kokë derisa ishte në tokë. Të gjitha vdekjet duhet të hetohen. E përsëris se kjo ngjarje ndodhi për shkak të terrorit afatgjatë të Kurtit dhe dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për ta ndalur atë”, ka thënë Liliana Pantiq. “Sa i përket ndërhyrjes në sovranitetin e shteteve, ne jemi ata që kemi pësuar nga kjo duke zbatuar standarde të dyfishta. Serbët në Kosovë jetojnë në kushte të vështira. Që prej ardhjes së Kurtit 11 për qind të serbëve janë larguar nga Kosova. Obligimi për ta reduktuar prezencën e njësive speciale nuk u zbatua, as obligimi për zgjedhje të reja”.

Me gjithë pretendimet e saj, Bashkimi Evropian pati deklaruar se Kosova ka përmbushur pikën ku kërkohet reduktimi i njësive speciale në veri.

E anëtarë të tjerë, përfshirë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, e dënuan aktin duke tërhequr paralele me sulmin e paprecedentë të Rusisë mbi Ukrainë.

"Situata në Kosovë është shqetësuese dhe ma kujton pushtimin e Rusisë në Ukrainë në vitin 2014. Nuk dyshoj se Rusia me veglat e saj në Ballkan po tenton një luftë të re për ta tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Disa shtete në Ballkan duhet të ndalojnë së shfrytëzuari minoritetet për qëllime kundër sovranitetit të një shteti tjetër. Nuk besoj as se Vuçiqi ka iluzion se mund të ketë kontroll në Kosovë, kjo më shumë është një lojë politike", ka theksuar Aleksander Mereshko, përfaqësues i Ukrainës.

Përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës, Sabina Gudiq, bëri thirrje që Kosova sa më shpejt të pranohet në Këshillin e Evropës.

“Dy të tretat e familjes sonë besojnë fuqishëm se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Tani është koha dhe se nuk mund të pritet më gjatë për t’ua hapur derën atyre që duan të bëhen pjesë e Këshillit. Sa më shumë që zgjatet ky proces, krijohet terren për ndikimet e huaja keqdashëse që të përzihen në Ballkan, sikurse Putini i cili ka ndikim në Beograd dhe në Banjallukë. Kjo u lejon atyre të krijojnë kriza jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë e vende të tjera të Ballkanit. Qytetarët e Kosovës duhet të kenë qasje në mekanizmat për të drejtat e njeriut. Mund të debatojmë gjatë se kush është fajtor, por në fund janë qytetarët që e paguajnë çmimin”, ka thënë Gudiq.

Më 12 maj Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, proces i cili nuk është finalizuar ende.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.