Arbëri

Apeli vërteton dënimin me burgim për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri

Pas pesë vjetësh përballje me drejtësinë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të vuajë dënimin e tij me 3 vjet e 4 muaj burg. Ky është vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Krimit dhe Korrupsionit, e cila më 4 shkurt la në fuqi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda në atë kohë. Në fjalën e tij, gjykatësi tha se ish-ministri do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme, ndërsa brenda 45 ditëve ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Lartë.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krimit të Organizuar pasi dëgjoi relatimin, prokurorët, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre vendosi: Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë me ndryshimin si më poshtë: Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin Saimir Tahiri. Vuajtja me burgim për të pandehurin fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin për ekzekutimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur nga dita e nesërme”, tha gjykatësi.

Pas dhënies së vendimit Tahirit iu lejua telefoni vetëm për të kryer një telefonatë, por nuk specifikohet se me kë ka folur. Pas vendimit të GJKKO është firmosur dhe urdhri i arrestit nga prokurorët dhe ish-ministri ka dalë me pranga në duar nga gjykata dhe është dërguar në ambientet e paraburgimit të Burgut 313.

Tahiri ka reaguar pas vendimit të GJKKO, e cila e dënoi me 3 vjet dhe 4 muaj burgim. Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se i vjen keq që situata shkoi në këtë mënyrë dhe se ai është i qetë dhe se nuk ka shkelur kurrë ligjin. Ish-ministri thekson se vendimi ndaj tij është thjesht padrejtësi, ndërkohë që shton se e ka dashuruar çdo ditë punën e tij.

“Ju dua shumë te gjithëve! Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda. Është thjesht padrejtësi!”, shkruan Tahiri në Facebook.

Avokati i ish-ministrit të Brendshëm e konsideron skandaloz vendimin për dënimin e klientit të tij. Në një komunikim për mediat avokati Maks Haxhia u shpreh se për këtë vendim do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Lartë, por u shpreh se GJKKO do të vonojë shpalljen publike të vendimit.

“Nuk e dimë si do ta justifikojë gjykata një vendim të tillë ku hiqet pezullimi. Ky ishte një vendim për të kënaqur dikë. Paramendimi në këtë vendim ka të bëjë me faktin që pavarësisht se ne na bën optimistë është se gjykata dhe ata që iniciuan këtë proces realizuan njollosjen e Tahirit duke hequr nenin 59. Presim vendimin e arsyetuar për të bërë rekurs. Jam i sigurt që vendimi do të vonohet. Ky ishte një vendim për të njollosur Saimir Tahirin”, tha Haxhia.

Dy vjet më parë Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, por për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohet në 3 vjet e 4 muaj burg, e konvertuar më pas në 3 vjet shërbim prove. Ndërkohë SPAK e akuzoi për trafik të lëndëve narkotike, grup i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale. Gjykata e Posaçme riktheu për rishqyrtim dosjen e ish-ministrit Tahiri, pasi konstatoi parregullsi në proces.

Ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marihuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Saimir Tahirit. Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.