Arbëri

Dënimi për falsifikim i pronarit të kompanisë bllokon projektin kryesor në kryeqytet

Neni 65 i Ligjit të Prokurimit Publik është bërë shkak që Gjykata Komerciale të bllokojë punimet në Rrugën A. Dispozita ndalon pjesëmarrjen në tender të kompanive që u është dënuar pronari ose drejtori në 10 vjetët e fundit. Komuna nuk e ka marrë në konsideratë këtë nen kur e ka nënshkruar kontratën për projektin kryesor të këtij mandati

Ndërtimi i Rrugës A në Prishtinë, që është një nga projektet me të rëndësishme në mandatin e kryetarit Përparim Rama, është bllokuar për shkak se sipas shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, gjatë shqyrtimit të ankesave Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk e ka trajtuar pretendimin që lidhet me nenin 65 të Ligjit të Prokurimit.

Kjo dispozitë thotë që një kompani është e papërshtatshme për të marrë pjesë në tender, në rast se drejtori ose pronari i kompanisë është dënuar në dhjetë vjetët e fundit. Por ky nen nuk e specifikon nëse norma vlen edhe kur kompania ndryshon pronarin.

“Gjykata, po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit ‘ndërtimi i Rrugës A pjesa e parë’, i iniciuar nga autoriteti kontraktues, Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale është më se i duhur që të ruhet interesi publik. Kjo, ngase paneli shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik ‘Sallahu shpk’, drejtori i të cilit është i dënuar për veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar nga neni 398 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale.

KOHA ka kontaktuar Zyrën e OSHP-së për të marrë interpretimin e saj për këtë çështje. Në këtë institucion paralajmëruan ankesë kundër vendimit të shkallës së parë të gjykatës.

“OSHP-ja ju njofton se jemi në proces të përgatitjes të mjetit juridik kundër këtij aktvendimi dhe brenda afateve ligjore të njëjtin do ta dorëzojmë në gjykatën kompetente”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Naim Sallahu ka qenë drejtor e pronar i kompanisë “Sallahu”. Aktualisht pronësia e kompanisë i është bartur një familjari të tij. Kundër Sallahut e dy zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, në vitin 2018 ishte ngritur aktakuzë. Vetë Sallahu e pati pranuar fajësinë për falsifikim të dokumentit, të cilin e pati shfrytëzuar për pjesëmarrje në tender. Gjykata e ka dënuar vetëm me gjobë.

E kjo, sipas kompanisë “Sallahu”, nuk ua ndalon pjesëmarrjen në tender, meqë neni 65 i Ligjit të Prokurimit nuk e specifikon nëse norma vlen edhe kur kompania ndryshon pronarin.

“Në lidhje me këtë, ish-pronari Naim Sallahu është i dënuar me gjobë, dhe sipas nenit 93 par 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënimet me gjobë nuk prodhojnë efekte juridike, andaj konsiderojmë se kjo çështje është mirë e sqaruar”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Sallahu SHPK”.

Por në nenin 65 të Ligjit të Prokurimit nuk përcaktohet askund nëse ky nen përdoret për personat e dënuar me gjobë ose burgim. Aty vetëm thuhet se operatorët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë nëse drejtori ose pronari u shpallet fajtor pa e përcaktuar llojin e dënimit që u shqiptohet.

Ish-drejtori i kësaj kompanie, Naim Sallahu, ka edhe një përballje tjetër me drejtësinë. Ai është i akuzuar për një tender tjetër në Ministrinë e Infrastrukturës. Gjykimi është në proces e veprat për të cilat ai është i akuzuar janë: falsifikim i dokumentit zyrtar dhe mashtrim në prokurimin publik.

Bashkë me të i akuzuar është edhe një zyrtar i kësaj ministrie, si dhe një person tjetër.

Në kompaninë “Sallahu” kanë deklaruar se nuk duan të deklarohen për raste që janë në procedurë. Sipas drejtuesve të saj, zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës po tentojnë në çdo formë që këtë kompani ta privojnë nga e drejta e shfrytëzimit të mjeteve ligjore.

Për këtë çështje KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Infrastrukturës, por nuk ka siguruar përgjigje.