Arbëri

Dëmtohet këndi i lodrave për fëmijë me aftësi të kufizuara

Është dëmtuar rëndë këndi i lodrave për fëmijë me aftësi të kufizuara, në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, ka bërë të ditur organizata “YARL – Youth are the real leaders”, që pati ndihmuar në jetësimin e këtyre lodrave.

Në një reagim publik, YARL është shprehur e shqetësuar për vandalizmin e hapësirave publike.

“Hapësira publike urbane duhet kujdesur për diversitetin dhe duhet ndihmuar në artikulimin dhe integrimin e tjetrit/es në mënyrë që të marrë kuptimin e vërtetë. Në përpjekje për të përmbushur këto objektiva është zhvilluar raporti hulumtues e pastaj implementimi i këndit të lodrave për fëmijë me aftësi të kufizuara. E tërë kjo u bo në bashkëpunim me komunitetin e lagjes, ekspertë të fushës, profesionistë e studentë, institucione dhe organizata relevante. Por, pak kohë më vonë gjendja e këndit të lodrave për fëmijë me aftësi të kufizuara duket si në fotot më poshtë. Duhet ditur se hapësira publike ka rëndësi të veçantë për shoqërinë si në aspektin e aktivitetve fizike ashtu edhe në aspektin e socializimit e atij psikologjik. Në veçanti këndet e lodrave janë me rëndësi për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve dhe përfshirjen apo interaksionin me tjetrin. Dëmtimi hapësirës së përbashkët publike do të ketë efekt negativ si në aspektin fizik ashtu edhe psikologjik duke ndikuar negativisht në ndjenjën e përkatësisë si dhe në përceptimin e hapësirës publike nga komuniteti si hapësirë e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”, thuhet në reagim.

{gallery}

YARL-ja megjithatë ka thënë se nuk do të dekurajohet e se pret që institucionet t’i trajtojnë këto çështje dhe të ofrojnë edukim joformal për komunitetin rreth rëndësisë së hapësirës publike dhe këndeve të lojërave.

Kjo organizatë ka kërkuar edhe rritjen e nivelit të sigurisë përmes ndriçimit, kamerave të sigurisë dhe të vihen para përgjegjësisë dëmtuesit.

“Kujdesi ndaj hapësirës publike është faktor kyç për një shoqëri të shëndetshme, përveç faktit se kjo është dhe do të mbetet përgjegjësi kolektive”, thuhet më tej në reagim.

Ky kënd lodrash qe jetësuar nga YARL-ja, OSBE-ja dhe Drejtoria e Parqeve në Komunën e Prishtinës, para pak muajsh.