Qeveria dhe partitë politike kanë heshtur ndaj vendimit të SHBA-së pas shpalljes person non grata të zyrtarit të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi. Veprime për të adresuar shqetësimin amerikan nuk janë ndërmarrë as në ministri, ndonëse Ligji për Zyrtarët Publikë e konsideron shkelje të rëndë nëse një zyrtar e dëmton reputacionin e institucionit. Për përfshirjen e Krasniqit në “listën e zezë” ka reaguar vetëm ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se është e papranueshme që një i dënuar të jetë pjesë e institucioneve publike
Ministria e Infrastrukturës nuk ka iniciuar asnjë masë kundër zyrtarit të saj, Nexhat Krasniqi, i cili para më shumë se dy javësh nga Departamenti Amerikan i Shtetit është shpallur person non grata.
Krasniqi, i njohur si “baba i tenderëve”, është përfshirë në listën e zezë për shkak se vite me parë është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, që është vepra e parë penale e kapitullit të korrupsionit në Kodin Penal të Kosovës.
Burimet i kanë thënë KOHËS se Ministria ka refuzuar ta dërgojë rastin në komision disiplinor me arsyetimin se “nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore”.
Megjithatë, në Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili ka hyrë në fuqi javë më parë, rëndësi të veçantë i është kushtuar reputacionit të institucionit.
“Shkelje e rëndë konsiderohet: sjellje e papërshtatshme që dëmton reputacionin e shërbimit civil”, thuhet në ligj.
KOHA ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës nëse përfshirja në listën e zezë e drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore ua dëmton reputacionin. Ministria nuk ka kthyer përgjigje e për të njëjtën pyetje përgjigje nuk ka kthyer as vetë Krasniqi.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se shumë hallka të institucioneve kanë dështuar që një të dënuari t’ia kufizojnë punën në shërbimin civil dhe kjo, sipas tij, ka shtyrë SHBA-në të angazhohet në ruajtjen e integritetit të shërbimit civil.
Miftaraj sqaroi se neni 56 i Ligjit për Zyrtarët Publikë është bazë e mjaftueshme ligjore që të iniciohet masë ndaj Krasniqit.
“Një qasje e tillë pa dyshim se cenon integritetin dhe kredibilitetin e institucionit, andaj edhe duhet shqyrtuar mundësia e inicimit të procedurës disiplinore për shkelje të rëndë sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë të përcaktuar me nenin 56, me kusht që ka vullnet politik nga ana e Ministrisë”, ka thënë Miftaraj.
Për rastin e Krasniqit edhe dy javë pas sanksionimit amerikan kanë heshtur partitë politike e edhe Qeveria. Por të hënën ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila për KOHËN ka thënë se një zyrtar si Krasniqi nuk duhet të jetë pjesë e institucioneve publike.
“Për mua po ashtu është i papranueshëm që personat që janë në listë të zezë për dyshime në përfshirje të aferave korruptive apo në veprime të kundërligjshme të jenë në institucionet e Republikës së Kosovës e sidomos të jenë në institucione të ndjeshme që është edhe rasti në fjalë që e theksuat. Sigurisht që personat që e kanë vendosur aty mbajnë përgjegjësi”, është shprehur Haxhiu.
Nexhat Krasniqi është vendosur në listën e sanksioneve të SHBA-së me arsyetimin se është përfshirë në korrupsion të madh gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Për rastin për të cilin është sanksionuar, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Krasniqin me 26 muaj burgim efektiv. Pas ankesës në Apel, dënimi i është zvogëluar në 18 muaj burgim me kusht, ndërsa i është lejuar edhe ushtrimi i funksionit publik.