Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL ka thënë se kandidati Enver Bujari, që kishte marrë pikë maksimale nga paneli në konkursin për Komisioner për Informim dhe Privatësi, nuk ka poseduar në dosjen e tij dëshmi për përvojën e punës, siç kërkohet për këtë pozitë.
Demolli-Nimani ka thënë se kur kanë krahasuar CV-të e tij të vitit 2019 dhe të fundit, kanë vërejtur një mospërputhje të datave se kur ka punuar, gjë që i ka shtyrë të hulumtojnë.
Kjo e ka shtyrë Lëvizjen Fol dhe disa organizata tjera të shoqërisë civile që të reagojnë duke i bërë thirrje deputetët në Kuvend që mos të votojnë kandidatët për Komisioner për Informim e Privatësi.
Demolli-Nimani në Desk të KOHËS ka thënë se Enver Bujari në kohën sa ishin ekspertët britanikë, kur nuk kishte arritur të kalonte për t’u votuar në Kuvend.
“Edhe kësaj here dy nga kandidatët që kanë shkuar në Kuvend, kanë qenë pjesëe e konkursece të kaluara. Është hera e parë që nuk ishin në panel edhe ekspertët britanikë. Ditë më parë nga CV që kemi rishikuar te njëri prej kandidatëve kemi vërejtur se ka mospërputhje mes datave të diplomimit dhe periudhës se ku ka deklaruar se ka punuar. Në njërën CV të vitit 2019 më duket ai kishte thënë se ka punuar nga viti 2006 deri në vitin 2019 e në tjetrën nga viti 2009 deri më 2020. Ka pasur mospërputhje. E kjo na shtyu që dosjen e personit në fjalë ta kërkojmë. Është një nga personat që është vlerësuar nga paneli me nota maksimale. Nuk ka ndodh diçka e tillë në konkurset e kaluara kur ishin përfshirë ekspertët britanikë”, ka thënë Demolli-Nimani. “Nuk kishte arritur asnjëherë të kalojë si kandidat për votim në seancën plenare. Kur i rishikuam të gjitha dokumentet që ky person është dashur të dorëzojë me rastin e aplikimit për këtë pozitë, vërejtëm që mungon dokumenti që dëshmon përvojën e punës. Pikërisht ku ngritëm dyshimet, pasi kjo pozitë kërkon tetë vjet përvojë pune, e së paku pesë në pozitat menaxheriale. Nuk pamë që Enver Bujari, një prej kandidatëve më të votuar në panel, posedon këtë dokument. Në mungesë të këtij dokumenti ai nuk duhej fare të ftohej në intervistë, sepse dokumentacioni ishte i pakompletuar. Sapo e konfirmuam reaguam, e kërkuam nga deputetët të mos votojnë këtë person, të anulohet komplet ky proces për shkak të parregullsive”.