Arton Demhasaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e vlerëson të vonë 15 prillin si datë të caktuar nga presidentja për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit.
Ai ka thënë se po humbet kohë me shtyrjen e afateve, pasi sipas tij, data e konstituimin ishte dashur të caktohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Është shumë vonë, nuk ka pasur nevojë presidentja ta shtyjë kaq shumë afatin për konstituim sepse po flasim për 2 muaj që janë shpenzuar nga zgjedhjet deri në certifikim të rezultateve. Nuk është dashtë që presidentja t’i humbë edhe tri javë për konstituim, menjëherë pas certifikimit është dashtë presidentja ta ftojë seancën”, ka thënë ai.
Demhasaj ka theksuar se data e seancës konstituive mund të jetë caktuar në këtë datë për shkak se partia që ka dalë e para nga zgjedhjet, Vetëvendosje, nuk e ka shumicën parlamentare për formimin e qeverisë.
“Nuk ka ndodhë në historinë e zgjedhjeve me pasë proces më të pasigurt zgjedhor e pastaj edhe proceset e zhagitjes së numërimit të votave. Tash edhe presidentja po e shtyn konstituimin për 3 javë. Krejt këto vonesa janë të panevojshme dhe pajustifikueshme, por me gjasë po bëhen sepse partia e parë që ka dalë në zgjedhje nuk i ka numrat, shumicën parlamentare për ta krijuar Qeverinë”, u shpreh ai në “60 Minuta” në KTV.
Ai ka folur edhe për mundësinë që Nisma të futet në Qeveri për t’ia bërë numrat partisë së parë. Ka thënë se qëndrimi aktual i Nismës është i qartë se nuk futet në një qeveri me VV-në, por në rast se ndodh një gjë e tillë, ka shtuar ai, do të prishej partneriteti me AAK-në.
Sa i përket një qeverie të partive të opozitës, Demhasaj ka potencuar se pozita e kryeministrit do t’i takonte Partisë Demokratike të Kosovës, si parti e dytë e dalë nga zgjedhjet. Megjithatë, ka insistuar se nuk kanë diskutuar me partitë për ndarje të pozitave në rast të formimit të qeverisë.
“Rendi kushtetues e përcakton që fillimisht partia parë nga zgjedhjet e ka të drejtën të tentojë ta krijojë qeverinë, nëse dështon mandatin i kalon partisë dytë dhe kjo nënkupton që PDK-së si parti e dytë e ka të drejtën të krijojë shumicën parlamentare. Në këtë logjikë i takon PDK-së pozita e kryeministrit”.