Për një javë janë raportuar rreth 40 zjarre në Kosovë. Policia ka konfirmuar se brenda tre muajve janë iniciuar 22 raste nën dyshimin për veprën penale “zjarrvënie” ose “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. E njohës të mjedisit listojnë dëme të mëdha nga hektarët që digjen secilin vit.
Brenda një jave në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave janë raportuar afro 40 raste të zjarreve në pyje.
Policia ka iniciuar një numër hetimesh për veprat penale “zjarrvënie” ose “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Gjatë kësaj periudhe të vitit 2025, pra deri në javën e parë të muajit mars, janë evidentuar gjithsej 22 raste të ‘zjarrvënieve’”, thuhet në njoftimin policor.
E, prokuroria nuk iu përgjigj pyetjeve të KOHËS për rastet penale që lidhen me zjarrvënien.
Njohësi i çështjeve emergjente, Tahir Ahmeti, thotë se shumica e këtyre zjarreve janë shkaktuar nga dora e njeriut.
“Shkaktar kryesor të këtyre zjarreve në rastet më të mëdha është faktori njeri, në 90 për qind të rasteve, qoftë nga pakujdesia apo edhe ndonjë mënyrë tjetër. Por, duhet që qytetarët të vetdijësohen se me këto zjarre që po i ndezin qoftë në pastrimin e mbeturinave apo nga pakujdesia në pyje, qoftë nga cigaret apo nga pikënisje të tjera, po shkaktojnë dëme të mëdha. Mirëpo edhe po e rrezikojnë jetën e tyre”, ka deklaruar Ahmeti.
E njohësi i ekologjisë, Qazim Kukalaj, thotë se pasojat nga zjarret janë të natyrës ekonomike e sociale, por thekson se dëmi më i madh i shkaktohet ambientit.
“Pasojat në mjedis së pari janë pasojat në shkatërrimin e florës, pra bimëve të ndryshme e në disa raste duke përfshirë edhe bimët që janë të mbrojtura. Pasojat në kafshë të ndryshme e edhe në gjallesa të tjera. Pasojë tjetër është edhe zhveshja nga mbulueshmëria e tokës, që mund të vije deri tek erozioni apo rrëshqitja e tokës”, ka shtuar ai.
Sipas Kukalajt, dëme të tilla shkaktohen çdo vit në Kosovë, meqë digjen mijëra hektarë tokë bujqësore e pyjore.
“99 për qind mund ta them lirshëm që shkaktar është njeriu. Moskujdesja, neglizhenca e duke mos përjashtuar edhe qëllimin, që ndonjëherë bëhen me qëllime qoftë për inat të një hakmarrjeje ndaj këtyre rojteve të pyjeve që iu ka shkruar fletparaqitje. Ka pasur raste kur janë djegur që me rastin e tenderimit apo ofertës publike t’i humb vlera, e mos të djeget krejt e ai çmim oferues të jetë më i lirë”, ka theksuar tutje ai.
Zjarre të mëdha janë shkaktuar edhe vitin e shkuar. Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, gjatë vitit 2024 në Kosovë janë djegur mbi 12 mijë hektarë pyje dhe shkurre.