Arbëri

Demaku: Ne nuk kemi problem vetëm me Grenellin, Escobarin e cilësuam proserb e Blinkenin naiv

DAfina Demaku

Dafina Demaku, paneliste në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se ekziston një historik në 4-5 vjetët e fundit që kanë krijuar sentiment “anti-amerikan” në Kosovë. Sipas saj, Richard Grenell, që konsiderohet njeri i afërt i presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, nuk është figura e vetme amerikane ndaj të cilit ka pasur zëra fyes e cilësime nga Kosova.

Sipas Demakut, edhe pse në Shtëpinë e Bardhë deri tash ka qenë Joe Biden, që konsiderohej me lidhje emocionale me Kosovën për shkak të kontributit të të birit të tij këtu, “ne veç i kemi përkeqësuar raportet”.

“Nuk është vetëm Grenelli ndaj të cilit kemi cilësime. Por është edhe emisari Gabriel Escobar, që ka qenë i dërguar i administratës amerikane nën udhëheqjen e Bidenit, e të cilin e kemi cilësuar shpesh si proserb. Sekretari amerikan i Shtetit është cilësuar si naiv”, ka thënë ajo.

Menjëherë pas shpalljes së fitores nga Trumpi, media kredibile ndërkombëtare raportuan se Richard Grenell pritet të jetë këshilltar për siguri kombëtare. Grenelli është një nga njohësit më të mirë të rajonit dhe ka shërbyer si emisar për dialogun Kosovë-Serbi, në mandatin e parë presidencial të Trumpit. 

Megjithatë, ai ka pasur disa përplasje me Qeverinë Kurti në periudhën e fundit të mandatit të tij deri më 2021.


Sopi: Me ndaljen e luftës në Ukrainë, Serbia nuk do ta ketë më ndikimin që e ka tash në rajon

Opinionisti në “Konfront”, Agim Sopi, ka vlerësuar se Serbia nuk do ta ketë fuqinë që të imponohet si faktor destabilizues i rajonit nëse presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpi, e ndal luftën në Ukrainë.

“Me ndaljen, me pacifizimin e rajonit të Rusisë andej në Kaukaz, ngjarjet do të orientohen tjetër kah. Serbia nuk do ta ketë më at fuqi që të imponohet si faktor destabilizues i rajonit. Serbia është e vetëdijshme, me politikat e Millosheviqit ka shkuar në luftë me NATO-n, nuk janë të gatshëm të paguajnë sërish çmim të tillë”, ka thënë ai.


Pula: Grenelli ka shkaktuar një mori skandalesh në Gjermani, veproi si sekser me shtetin serb

Analisti Shqiprim Pula, ka thënë se ish-i dërguari i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi ka shkaktuar një mori skandalesh gjatë posteve që ka mbajtur në Gjermani. 

Pula ka shtuar se Grenelli ka vepruar si sekser i shumë kontratave me shtetin serb, gjatë rolit të tij si negociator. 

“Të gjithë jemi dëshmitarë që Grenelli ka shkaktuar një mori skandalesh gjatë detyrës së tij. Duke e theksuar rastin e të qenit ambasador në Berlin, aty madje ka disa të dhëna se si është kërkuar largimi i tij për shkak të disa të dhënave të caktuara, më pas edhe të qenit si ushtrues detyre i drejtorit të shërbimeve inteligjente atje, nuk është se ka dhënë ndonjë rezultat të caktuar. Si negociator, për të mos thënë si sekser i shumë kontratave me shtetin serb”, ka thënë ai. 


Baraliu: Trumpi e sheh politikën si biznes, shembull është Marrëveshja e Uashingtonit

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se presidenti i zgjedhur i Amerikës, Donald Trump, e sheh politikën si biznes. 

Ai e ka përmendur si shembull Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar më 4 shtator 2020.

“E kemi pasur provën më tipike dhe më ekspresive, shembullin më tipik dhe qasjen e tij me rastin e Kosovës dhe përgatitjet për marrëveshjen e Uashingtonit. Thjeshtë veprime që kanë qenë të shpejta, ndoshta edhe të përgatitura në mënyrë biznesore të aspektit të transaksioneve, sepse të gjitha veprimet e tij politike mbase do të jenë në vazhdën e transaksionalizmit dhe jo bilateralizmit, multilateralizmit”, ka thënë ai. 

Ai ka shtuar se shumëçka do të ketë ndryshe në hapat dhe veprimet e Trumpit.