Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, deklaroi të enjten se shteti ka dështuar t’i ofrojë mbrojtje 35-vjeçares shtatzënë, tashmë e ndjerë, e cila u vra nga bashkëshorti i saj të mërkurën.
Ajo tha se PDK-ja ka parashtruar mocionin për interpelancë të kryeministrit Albin Kurti, derisa shtoi se në Kosovë po shtohen rastet e dhunës dhe të vrasjeve.
“Edhe më tronditëse bëhet gjendja kur brenda pak ditësh i kemi dy viktima, këto duhet të jenë rastet e fundit dhe alarmi i fundit për shtetin tonë. PDK në mënyrë urgjente sot ka parashtruar mocionin për interpelancë të kryeministrit. Pra po dështojnë të ofrojnë mbrojtjen e jetës të vajzave dhe grave të Kosovës. Vendi ynë për çdo ditë po shënon raste të dhunës e vrasjeve. Është e pa tolerueshme që këto krime ndodhin në bazë të përditshme dhe javore. Të shokuar nga kjo vrasje makabër. Ne si PDK kemi vendosur që të ftojmë në interpelancë kryeministrin dhe ministrat përgjegjës, sepse konsiderojmë që ky ishte një dështim i shtetit për të ofruar mbrojtje që një grua po priste të sillte në jetë një fëmijë”, u shpreh ajo.
Ndërsa, deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj, deklaroi se institucionet duhet të jenë më të përgatitura.
“PDK-ja tërë kohën është duke bërë thirrje që të bëjnë të pamundurën që institucionet të jenë më të përgatitura. Dhe kjo bëhet kur drejtuesve të tyre nuk u zvogëlohen pagat, kur punëtorëve nuk iu përmirësohen kushtet e tyre dhe nuk kanë mbështetje nga institucionet përkatëse. Ende s’ ka marrë një përgjigje pse po zvarritet procesi i emërimit të ministrit të Shëndetësisë, kemi shumë spitale që udhëhiqen me ushtrues detyre. Shtrohet pyetja pse Qeveria e vendit, pse MPB-ja dhe Ministria e Mbrojtjes për çdo ditë ikin punëtorët nga vendi”, shtoi ai.
Policia e Kosovës ka arritur ta identifikojë vendndodhjen e veturës të cilën dyshohet se Sokol Halilie përdori për t'u larguar nga vendngjarja, pasi kreu vrasjen e gruas shtatzënë, të mërkurën në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.
Vetura është gjetur në qytetin e Shtimes.
Pas kontrollit vetura është marrë nga familjarët e të dyshuarit në fshatin Davidovc, ku edhe jetojnë./ksp