[12:03] - Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka folur në lidhje me Gjykatën Speciale.
Në këtë konferencë, Delawie e ka arsyetuar formimin e saj ndërsa ka thënë se përkushtimi i Kosovës ndaj drejtësisë është nën kërcënim serioz nga një nismë për ta zhbërë apo ndryshuar Ligjin që autorizon Gjykatën Speciale.
“Jam sot këtu për të folur për drejtësinë. Jam këtu për të folur për viktimat, jam këtu për të folur për përkushtimin e Kosovës ndaj drejtësisë dhe të ardhmes së saj si vend demokratik dhe evropian. Ky përkushtim është nën kërcënim serioz nga një nismë për ta zhbërë apo ndryshuar Ligjin që autorizon Gjykatën Speciale. Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat personale mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Më lejoni të jem i qartë, deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre, do të t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra. Ata e dinë këtë sepse ua kemi thënë”, ka thënë Delawie, raporton KTV.
Ai më tej tregoi për qytetarët se pse Gjykata Speciale është kaq e rëndësishme për Kosovën dhe përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë gjithçka që kanë në fuqi për të siguruar që Gjykata të ketë mundësi që të përfundoj mandatin e vet.
“Pra, pse Kosova e ka krijuar Gjykatën Speciale? Kosova e ka bërë këtë për të sjell para drejtësisë të gjithë ata individë që janë akuzuar se kanë kryer krime kundër individëve të tjerë gjatë kohës së luftës së Kosovës për liri. Gjykata Speciale nuk është për drejtësi për një shtet, për një ushtri apo për një grup etnik, ka të bëjë për drejtësinë për viktimat individuale. Kosova ka luftuar një luftë në vitin 1999 dhe ne kemi qëndruar krah jush, kemi qëndruar me viktimat, kemi qëndruar përkrah drejtësisë. Askush nuk do të mund t’i rishkruaj librat e historisë për fushatën e krimeve mizore të Republikës federale të Ish-Jugosllavisë. Por, realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve, për çka duhet të japin llogari dhe kjo është përse është krijuar Gjykata Speciale”, deklaroi Ambasadori amerikan në këtë konferencë me gazetarë.
Sipas tij, viktimat, rastet e të cilëve mund të ndiqen penalisht nga Gjykata Speciale, përfaqësojnë shumë etni; shqiptarë, serbë, romë dhe të tjerë dhe të gjithë kanë qenë qytetarë kosovarë. Kësisoj, sipas Delawiet, të gjithë meritojnë trajtim të barabartë sipas ligjit, të gjithë kanë të drejtën e njëjtë për drejtësi dhe “për këtë arsye Kosova ka krijuar këtë Gjykatë”.
“Gjykata Speciale është thellësisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo Gjykatë na intereson sepse ndërhyrja jonë në vitin 1999 ishte bazuar në idenë se krimet e luftës kundër kujtdo ishin sulm ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe mbajmë mend vuajtjet e 1 milion kosovarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre, të vendosur në male apo përtej kufirit maqedonas. Dëshironim drejtësi për ta. Ushtarët amerikanë dhanë jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur këtë parim dhe ua kemi borxh që të vazhdojmë ta mbrojmë atë edhe sot. Gjykata na intereson po ashtu sepse Kosova nuk mund të jetë vend ku pandëshkueshmëria është normë. Ta pranosh këtë realitet do të nënkuptonte kthim në udhëheqësin e epokës së stilit të Millosheviqit, të cilën një gjeneratë e qytetarëve kosovarë kanë luftuar për ta rrëzuar. Gjykata na intereson sepse duam që Kosova ta marrë vendin e saj të duhur si shtet evropian, duke iu bashkuar NATO-së dhe BE-së. Ndryshimi apo zhbërja e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe demonstrimi i përbuzjes për sundim të ligjit, do të vë Kosovën mbrapa me vite të tëra në integrimin e saj drejt institucioneve evropiane. Nëse dëshironi t’i bashkoheni një klubi, atëherë duhet të jetoni sipas rregullave të atij klubi e njëri prej rregullave më të rëndësishme të klubit euro-atlantik është sundimi i ligjit”, theksoi Delawie.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se nuk e di se kur do të ngrihen aktakuzat e as ndaj kujt.
Në fakt, tha ai, “as nuk dua ta di”. Por, kurdo që kjo të ndodh, Delawie pret që “Kosova t’i përmbahet atyre duke përmbushur premtimin e saj dhënë bashkësisë ndërkombëtare”.
“E dimë se ka pasur mekanizma të tjerë të drejtësisë që kanë ardhur dhe kanë shkuar, asnjë sistem i drejtësisë nuk është perfekt dhe disa janë më të suksesshëm se të tjerët. Përderisa, Tribunali Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavi ka akuzuar dhe dënuar një numër të udhëheqësve të nivelit të lartë për krime të kryera në Kosovë, ka shumë të tjerë që kanë kryer krime lufte dhe nuk janë përballur me drejtësinë. Por, siç e ka thënë Sekretari Tillerson më 21 dhjetor ne jemi plotësisht të përkushtuar për t’i gjetur kryerësit e veprave mizore kudo. Kjo, sigurisht përfshin edhe kriminelët e luftës të të gjithë etnive që jetojnë këtu ose jashtë vendit e që kanë kryer krime në Kosovë. Fakti se disa kriminelë i kanë ikur drejtësisë nuk iu jep të tjerëve pandëshkueshmëri. Të gjitha viktimat meritojnë drejtësi”, deklaroi Ambasadori Delawie.
Kosova, sipas tij, duhet të jetë e gatshme ta përmbyll këtë kapitull të historisë së saj edhe nëse kjo nënkupton që disa prej udhëheqësve të kohës së luftës të japin llogari.
“Ka të tillë që thonë, pse nuk mund t’i kemi këto gjykime këtu? Sepse këtë mund ta bëjmë vet. Ne kemi investuar shumë në sistemin e drejtësisë në Kosovë por ky sistem ende nuk e ka demonstruar se është i aftë që të ndaj drejtësi për rastet e profilit të lartë. Dëshmitarët vazhdojnë të jenë subjekt i frikësimeve, kërcënimeve dhe dhunës. Ende nevojitet një mekanizëm jashtë. Drejtësia, drejtësia për viktimat ka pritur kohë të mjaftueshme. Prandaj, po iu bëj thirrje popullit të Kosovës që të këmbëngulin që udhëheqësit e tyre ta mbrojnë të drejtën për drejtësi të cilën e keni fituar me një çmim kaq të lartë”, u shpreh ai.
Ambasadori Delawie kërkoi nga qytetarët e Kosovës që t’i pyesin përfaqësuesit politikë vendosë se çfarë dëshirojnë ata që të bëhet Kosova. “A dëshironi që Kosova të bëhet vend ku sundimi i ligjit të aplikohet për ata që kanë pushtet, fuqi apo miq politikanë? A dëshironi që Kosova të jetë një vend i tillë ku kriminelët nuk përballen me asnjë pasojë për krimet e tyre? A dëshironi që Kosova të mbetet mbrapa kur të tjerët t’i bashkohen Bashkimit Evropian? Apo mos dëshironi që Kosova të jetë vend ku respektohet sundimi i ligjit, ku mbrohen të drejtat e viktimave dhe e cila e merr vendin e vet të duhur si anëtare e respektuar e bashkësisë ndërkombëtare në aleancë dhe vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Ky është vizioni im për vendin tuaj dhe të ardhmen tuaj. Nëse e ndani këtë vizion edhe ju, atëherë qëndroni krah drejtësisë, qëndroni krah viktimave, qëndroni bashkë me mua kundër kësaj përpjekje për ta zhbërë përkushtimin e Kosovës ndaj Gjykatës Speciale. Kjo është krejt çka dëshiroj për Kosovën. Që Kosova të ketë sukses si një vend i drejtë, i pranuar dhe me prosperitet. Prandaj, iu ftoj të gjithëve që të punoni me mua dhe shpresoj se edhe unë do të mund të punoj me juve”, potencoi në fund Ambasadori Amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
Ndërkaq, në fillim të adresimit të tij, Delawie, në emër të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, i shprehu ngushëllimet më të thella familjes së Oliver Ivanoviqit, “vrasja e të cilit ishte tragjedi për Kosovën”.
“E dënoj këtë vepër në mënyrën më të fuqishme. Askush nuk duhet ta shfrytëzoj këtë krim për qëllime politike”, deklaroi ai.
[11:18] - Delawie: Nisma për zhbërjen e Speciales, shembull i tmerrshëm kur interesat personale shkelin të mirën e përgjithshme
“Ky përkushtim është nën kërcënim serioz nga një nismë për ta zhbërë apo ndryshuar Ligjin që autorizon Gjykatën Speciale. Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat personale mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Më lejoni të jem i qartë, deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre, do të t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra. Ata e dinë këtë sepse ua kemi thënë”, ka thënë Delawie, raporton KTV.
Ndërkaq, Ambasadori Amerikan tashmë gjendet në ambientet e Presidencës.
Siç mëson “Koha Ditore”, presidenti Hashim Thaçi do të ketë gjatë ditës takime edhe me ambasadorët tjerë të vendeve të QUINT-it dhe me shefen e misionit të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Delawie: Specialja nuk do të gjykojë një popull, por rastet individuale
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie ka dal në një konferencë me anë të së cilës ka folur për, siç tha ai, rëndësinë që ka Gjykata Speciale.
Ai shprehu ngushëllime për vrasjen e liderit të serbëve Oliver Ivanoviq ndërsa tha se nuk ka dal për të folur për atë çështje por për krejt diçka tjetër.
“Jam këtu për të folur për gjykatën Speciale. Dua të tregoj pse Gjykata Speciale është e rëndësishme dhe pse Amerika po mundohet ne fuqizimin e saj. Gjykata Speciale është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ne kujdesemi për gjykatën dhe duam të shohim në Kosovë një integrim evropian duke u bashkuar kështu në organizatat ndërkombëtare përfshire NATO e BE-në”, ka thënë Ambasadori amerikan, raporton KP.
Sipas tij, Gjykata Speciale nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etnie. “Ajo do të gjykojë rastet individuale”, ka thënë Delawie.