Arbëri

Tetë të akuzuarit në rastin “Spitali Amerikan” deklarohen të pafajshëm

Të akuzuarit, pesë ndërmarrës dhe tri biznese, janë deklaruar të pafajshëm në akuzat e Prokurorisë Speciale për shpëlarje parash dhe falsifikim dokumentesh në rastin “Spitali Amerikan”. Një nga të akuzuarat, në fillim të seancës ka deklaruar se nuk i kupton akuzat e Prokurorisë. Të gjithë së bashku dyshohet se kanë shpëlarë mbi 3 milionë euro

Tetë të akuzuar për shpëlarje parash dhe për falsifikim të dokumenteve janë deklaruar të pafajshëm të enjten para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në shqyrtimin fillestar të rastit “Spitali Amerikan”. 
Në Prokurorinë Speciale kanë pretenduar se në këtë rast, pesë ndërmarrës dhe tri biznese kanë shpëlarë mbi 3.4 milionë euro. 

Në këtë rast, të akuzuar janë pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Galanxhi-Malaj bashkë me kompaninë e saj, pastaj ndërmarrja “American Hospital Kosova” bashkë me aksionarin kryesor Klodian Allajbeu, drejtori i spitalit, Ilgi Larashi, “Qendra Kardiale e Kosovës” si dhe drejtorët e pronarët e saj, Ekrem e Korab Lluka. 

Në seancën e së enjtes më së shumti ka vonuar vetëdeklarimi i së akuzuarës Edlira Galanxhi-Malajt, e cila sipas aktakuzës është juriste, notere dhe mësimdhënëse me profesion. Ajo fillimisht ka thënë se nuk i ka të qarta akuzat. 

E gjyqtari, Vesel Ismaili, për këtë shkak e ka ndërprerë seancën. E pas një pushimi prej 5 minutash, ajo është deklaruar e pafajshme, sikurse të akuzuarit e tjerë. 

Në aktakuzën e ngritur thuhet se të pandehurit kanë bërë 3 milionë e 482 mijë euro qarkullim fiktiv mes vete, gjë që, sipas Prokurorisë, ka buruar nga vepra penale dhe falsifikimi. Nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, sipas PSRK-së, është mundësuar transferimi dhe qarkullimi i parave nga një llogari te tjetra, me ç’rast një pjesë të parave ata e mbanin në posedim e që tërhiqej në emër të dividendit, të cilën ata e kanë përdorur për blerje patundshmërish, për të huazuar para dhe për të realizuar pagesa në mënyrë që të maskohej origjina kriminale e parave.

“Nga data 10.08.2015 në vazhdimësi deri në vitin 2023, në Prishtinë, e pandehura Edlira Malaj, pronare dhe përfaqësues ligjore e subjektit juridik “Medbrand Ks” Sh.p.k, i pandehuri Klodian Allajbeu aksionar dhe përfaqësues ligjor i subjektit juridik “American Hospital Kosova” Sh.p.k, i pandehuri Igli Larashi drejtor ekzekutiv i subjektit juridik “American Hospital Kosova” Sh.p.k, të pandehurit Ekrem Lluka dhe Korab Lluka, pronarë dhe përfaqësues ligjorë të subjektit juridik “Qendra Kardiale e Kosovës” Sh.p.k, në bashkëkryerje dhe me dashje, duke i përdorur dokumentet e falsifikuara... arrijnë të përfitojnë para që burojnë nga vepra penale “Falsifikimi i dokumenteve” në vlerë prej 3,482,000.00 euro, të cilat para me qëllim që të duken si të ligjshme, duke i përdorur dokumentet e njëjta, arrijnë t’i maskojnë, t’ia fshehin natyrën dhe burimin e vërtetë, t’i konvertojnë dhe transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës, për t’i marrë më vonë në posedim dhe shfrytëzimin si para të ligjshme”, thuhet në aktakuzë. 

Në aktakuzë përmenden edhe fatura nga Qendra Kardiale e Kosovës, të cilat janë lëshuar në kohën kur kjo kompani nuk ka ekzistuar. Sipas aktakuzës, Qendra Kardiale as që ka pasur asete për të shitur. 

“E pandehura Edlira Malaj pasi themelon subjektin ‘Medbrand Ks’ me datë 05.11.2014 së bashku me të pandehurit Koldian Allajbeu dhe Ekrem Lluka, përpilojnë dokumentin e falsifikuar ‘Kontratë për shitblerje’ datë 30.05.2014, sipas të cilit subjekti juridik ‘Medbrand Ks’ kinse kishte blere pajisje nga subjekti juridik 

‘Qendra Kardiale e Kosovës’ në vlerë prej 1,572,842.00 euro, për t’i hapur rrugë përpilimit të aktit tjetër të falsifikuar ‘Marrëveshje Shitblerje’ datë 23.10.2014, me anë të të cilit pajisjet që kinse subjekti juridik ‘Medbrand Ks’ i kishte blerë paraprakisht nga subjekti juridik ‘Qendra Kardiale e Kosovës’ tani po ia shiste subjektit juridik ‘American Hospital Kosova’ në vlerë prej 4,703.999.98 euro, përderisa në këtë periudhë kohore 30.05.2014 – 23.10.2014 subjekti juridik ‘Medbrand Ks’ nuk kishte qenë ende i themeluar dhe subjekti ‘Qendra Kardiale e Kosovës’ nuk posedonte asete për të shitur dhe me qëllim që të ekzekutojnë kontratat e lartcekura gjatë vitit 2015 lëshojnë në qarkullim edhe dy faturat e falsifikuara Nr. F0002/07-2015 datë 27.07.2015 në vlerë prej 1,572,842.00 euro, të lëshuara nga ‘Qendra Kardiale e Kosovës’ për ‘Medbrand Ks’, dhe Nr. F0003/07-2015 po ashtu më datë 27.07.2015 në vlerë prej 4,703,999.98 euro, të lëshuar nga ‘Medbrand Ks’ për ‘American Hospital Kosova’”, thuhet po ashtu në aktakuzë. 

Prokuroria Speciale e ka ngritur aktakuzën kundër tetë të akuzuarve më 18 shkurt të 2025-tës. 
Gjyqtari Ismaili i ka udhëzuar të akuzuarit për ankesë kundër aktakuzës dhe provave në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditësh.
 

 

 


Deklarohen të pafajshëm 5 biznesmenët që akuzohen për shpëlarje parash në vlerë 3.4 milionë euro

Ekrem Lluka bashkë me djalin e tij, Korab Lluka, si pronarë të “Qendrës Kardiake të Kosovës”, Klodian Allajbeu pronar dhe Igli Larashi drejtor në “American Hospital Kosova”, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale për shpëlarje parash.

Përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve, pesë biznesmenët dyshohet se shpëlanë para në vlerë të 3.4 milionë eurove, thuhet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

Ekrem Lluka bashkë me djalin e tij, Korab Lluka, si pronarë të “Qendrës Kardiake të Kosovës”, Klodian Allajbeu pronar dhe Igli Larashi drejtor në “American Hospital Kosova”, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj, sipas aktakuzës, kanë prezantuar dokumente e fatura me kompani që nuk ishin të regjistruara, me qëllim edhe të përfitimit të milionave, por edhe të legjitimimit të transaksioneve të tyre bankare.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se këto veprime të kundërligjshme u ndërmorën kur këta persona kuptuan se janë duke u hetuar nga Administrata Tatimore dhe nga Prokuroria Speciale.

Malaj si pronare e “Medbrand” dyshohet se me qëllim të shpëlarjes së parave, ka falsifikuar fatura të shitjes së pajisjeve në Spitalin Amerikan më 2014, në vlerë të 4.7 milionë eurove ndonëse kompania e saj në atë kohë nuk kishte ekzistuar as si subjekt i regjistruar.

Ndërkaq, Allajbeu si aksionar i spitalit dhe Larashi si drejtor dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara për blerjen e këtyre pajisjeve dhe se dokumentet e falsifikuara ia kanë prezantuar ATK-së.

Në aktakuzë thuhet se Malaj, bashkë me Larashin dhe Korab Llukën nga Qendra Kardiake kanë nënshkruar dokumente me përmbajtje të rreme në mars të 2021-tës, kinse janë nënshkruar në dhjetor të 2020-s, me qëllim që të legjitimojnë mosdeklarimin e pagesës prej 1.5 milionë eurove nga 4.7 milionët, në mënyrë që ta vënë ATK-në në lajthim se kontrata ka qenë e nënshkruar para se ATK-ja t’i niste hetimet.

Aktakuza i ngarkon Malajn, Allajbeun, Larashin, Ekrem dhe Korab Llukën se duke përdorur dokumente të falsifikuara kanë arritur të realizojnë miliona.