Kanë dalë para Gjykatës Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të akuzuar për veprën penale “Spiunazh”.
Të pandehurit janë deklaruar përsëri të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Shabani dhe Qerimi kanë spiunuar në favor të Serbisë si bashkëpunëtorë të BIA-s.
I pandehuri Bedri Shabani akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Serbisë, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes dhe masakrën e Reçakut.
Sipas dokumentit, Shabani të dhënat dhe informacionet në fjalë, ua kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiq, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel Bogoljub Janiçeviq, ish-komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt, gjatës kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.
E i akuzuari tjetër, Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e në vazhdimësi deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjestarët e UÇK-së, emrat dhe eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç përgjegjës për Regjionin e Pançevës përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike që ka zhvilluar në territorin e Republikës së Serbisë.
Prokurori: Provat e grumbulluara do ta vërtetojnë se Shabani e Qerimi i shërbyen BIA-s
Prokurori special Bekim Kodraliu në fjalën e tij hyrëse për këtë proces gjyqësor ka thënë se provat e grumbulluara që do të administrohen gjatë gjyqit do të vërtetojnë se dy të pandehurit e kanë ndihmuar dhe i kanë shërbyer BIA-së dhe kanë cenuar rendin kushtetues e jetën e qytetarëve të Kosovës.
“Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi të cilët veç e veç kanë kryer veprën penale ‘Spiunazhi’, ndërsa i akuzuari Muharrem Qerimi akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, për të cilën vepër në shqyrtim fillestar e ka pranuar fajësinë”, ka thënë ai.
Tutje theksoi se BIA po zhvillon aktivitet spiunazhi në Kosovë dhe për këtë ka thënë se ekzistojnë prova konkrete. Siç potencoi Kodraliu, Bedri Shabani e kishte ndërlidhur spitalin e Mollopolcit me të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë”.
“Do të vërtetohet në tërësi nga provat që do të administrohen para jush, janë më shumë se 30 raporte policore, me prova konkrete në të, raporti nga Agjencia Forenzike e Kosovës, konfirmimet zyrtare nga AKI dhe burimet e qasshme…. Raportet për hyrje daljet për Serbi dhe kthimi në të njëjtën ditë në Kosovë, dokumentacione dhe foto albume, që përmbajnë foto të luftës së Kosovës, diagrame, fotografi të përgatitura, e në veçanti provat materiale të cilat janë gjetur në posedim tek i pandehuri Bedri Shabani, do të vërtetohet se i njëjti që spitalin e Mollopolcit, ta ndërlidhë me shtëpinë e ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë, në Shqipëri. Gjatë administrimit të provave, do të vërtetohet që i pandehuri Bedri Shabani nga një datë e pacaktuar e deri në arrestimin e tij 05.06.2024, e ka ndihmuar BIA-në përmes Sërgjan Rosiqit, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe librave që kanë të bëjnë më ngjarjet të UÇK-së. Këto veprime i ka ndërmarrë përmes komunikimit telefonik dhe takimeve fizike me Sërgjan Rosiqin”.


Prokuroria e prezantoi edhe një provë të re për Bedri Shabanin, të cilën mbrojtja e të akuzuarit Shabani, avokati Besnik Berisha, e quajti qesharake.
