Raportimet e parregullta të pasurisë, sipas njohësve, janë të shpeshta te zyrtarët kosovarë, dhe mund të jenë edhe më të shpeshta te zyrtarët serbë që kanë edhe pozita në institucione apo ndërmarrje të Serbisë. Rastet e tilla, siç është edhe ai i ministrit për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, Agjencia Kundër Korrupsionit thotë se do t’i trajtojë në përputhje me ligjin.
Mospërputhje në deklarimin e pasurisë në agjencitë kundër korrupsionit në Kosovë e në Serbi vërehen te zyrtarët serbë të Kosovës. I tillë është rasti edhe me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq. Para Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi, ai ka deklaruar pozitën si asistent në një shkollë të lartë profesionale në Leposaviq, e po ashtu edhe si drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale të Pastrimit “Standard” në Mitrovicën Veriore. Por, në Kosovë, asnjëherë nuk i ka deklaruar ato, duke i raportuar vetëm pozitat nga institucionet e Kosovës.
Faqja e kompanisë së pastrimit nuk e ka emrin e Rakiqit si drejtor të saj nëpër njoftime apo në seksione të tjera të saj, mirëpo kryetari i Listës Serbe vazhdon të figurojë si drejtor në regjistra të ndryshëm të bizneseve të Serbisë, siç është Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Serbisë dhe “Companywall Serbia”.
Raportimet e çrregullta, sipas Mexhide Demollit, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, janë të shpeshta te zyrtarët kosovarë dhe mund të jenë edhe më të shpeshta te zyrtarët që punojnë nëpër struktura paralele.
“Ky është veç një prej rasteve, ndoshta të shumta, që ndodhin që zyrtarët publikë nuk i deklarojnë të gjitha, ose të ardhurat ose pozitat që ata i mbajnë. Nuk besoj të jetë i vetmi sa i përket minoritetit serb, pra zyrtarëve publikë që janë nga minoriteti serb, qoftë në komunat në veri apo në ministri të ndryshme që nuk kanë, ndoshta edhe një punë të dytë”, ka thënë ajo.
Demolli ka thënë se, po ashtu, është i shprehur fenomeni i mospërputhjes në raportim të të ardhurave dhe pozitave, siç nuk ka raportuar pozitë në Fakultetin Ekonomik në Mitrovicën e Veriut, por ka deklaruar të ardhura nga ajo para AKK-së kosovare.
E, edhe në raportin më të fundit të Lëvizjes FOL, ai është përmendur për mosdeklarim.
“Nga raporti që e kemi publikuar para një muaji, po i njëjti person del që nuk e ka deklaruar pozitën... pasurinë në rastin e detyrës si zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, që ka ndodhur në Qeverinë Hoti”, ka thënë Demolli.
Agjencia Kundër Korrupsionit ka konfirmuar se Rakiq nuk i ka deklaruar asnjëherë pozitat e të hyrat nga Universiteti në Mitrovicën Veriore, e as nga Ndërmarrja e Pastrimit.
“Zyrtari i lartë publik në deklarimet e pasurisë së dorëzuar në Agjencinë kundër Korrupsionit nuk ka deklaruar funksionet e lartpërmendura, por as të hyra nga këto funksione”, shkruhet në përgjigjen e AKK-së.
Këtë rast e të tjerë si ky, AKK-ja ka thënë se do t’i trajtojë në përputhje me ligjin, ku parashihet se mund të ushtrojë edhe kallëzim penal ndaj zyrtarëve publikë.
“Në rastet kur dyshohet se ndonjë zyrtar i lartë publik ka paraqitur deklarim të rremë të pasurisë, Agjencia kundër Korrupsionit ndërmerr veprimet në pajtim me Ligjin nr. 04/L-228 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë”, ka shkruar AKK-ja në përgjigjen e saj.
Kodi Penal i Kosovës e parasheh si vepër penale deklarimin e pavërtetë të pasurisë.
“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muajsh deri në pesë (5) vjet”, shkruhet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Së fundi, Gjykata në Klinë e ka dënuar me gjobë e burgim me kusht për këtë vepër ish-kryetarin e Klinës, Sokol Bashota, për mosdeklarim të një veture dhe të ardhurave prej 30.000 eurosh në vit nga qiratë.
Prokuroria Speciale, Lista Serbe e as Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me mospërputhjet e Rakiqit në deklarime të pasurisë.
Deklarimi i rrejshëm i pasurisë është vepër penale edhe në Serbi. Në muajin korrik të këtij viti Qendra për Gazetari Hulumtuese në Serbi (CINS) ka raportuar se Rakiqi s’e ka paraqitur pasurinë e tij në plotni në Serbi. Megjithëse nuk është ndjekur penalisht, pas raportimit të saj, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi ia ka shqiptuar atij masën më të lehtë të mundshme-vërejtjen.