Arbëri

Dëgjohen të shtëna armësh në veri

Të shtëna armësh janë duke u dëgjuar në veri.

Policia ka bllokuar rrugët që çojnë në fshatin Banjskë në Zveçan, ku ka mbetur i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa është plagosur polici kufitar Alban Rashiti.

Gazetarja e KOHËS, Majlinda Ibrahimi, që është në veri, ka njoftuar se po dëgjohen të shtënat e armëve në anën tjetër të fshatit Banjskë.

“Jemi në hyrje të fshatit Banjskë, këtu është rruga e bllokuar nga njësitë policore të Kosovës. Para rreth pesë minutash ka të shtëna në anën tjetër të fshatit. Janë të shtëna automatiku, ka përreth gjysmë ore që çdo 10 minuta ka të shtëna automatiku. Na u është kërkuar të qëndrojmë sa më larg apo në veturat tona për shkak të këtyre të shtënave”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se ka lëvizje të KFOR-it, të veturave të EULEX-it, të autoambulancave të EULEX-it, teksa në atë pjesë ka tentuar të hyjë edhe një autoambulancë që nuk ishte e EULEX-it dhe nuk është lejuar të hyjë brenda.

Dyshohet se sulmuesit janë mbyllur në Manastirin e Banjskës.