Rigjykimi ndaj Remzi Shalës, i cili akuzohet për krime lufte ndaj popullsisë civile, në Gjykatën Themelore të Prizrenit po shkon drejt fundit. Të hënën janë dëgjuar dy dëshmitarët e fundit. Dëshmitë e tyre janë kontestuar nga pala mbrojtëse.
Shqyrtimi kryesor në rigjykimin ndaj Remzi Shalës, i cili nga Prokuroria Speciale akuzohet për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit, ka vazhduar të hënën në Gjykatën Themelore të Prizrenit, me dëgjimin e dëshmive të Nuhi Zyrapit dhe Sejdi Përteshit.
Ky i fundit ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës.
Pala mbrojtëse dhe i akuzuari fillimisht kanë kontestuar dëshminë e Nuhi Zyrapit, i cili ka pohuar se i akuzuari Remzi Shala ka qenë ushtar i UÇK-së dhe se ai i ka treguar se ka marrë xhaxhain e gruas së tij, Haxhi Përteshin.
“Kam ardhë me dëshmua edhe me kërkesë të palës së dëmtuar, edhe e kam ndier veten moralisht me ardhë me dëshmua për këtë rast, për ato që i di, kur kam parë që gjykimi është duke dalë prej binarëve, duke u njollosur njerëzit, edhe duke shkuar në drejtim të vëllavrasjes”, ka deklaruar Zyrapi.
Avokati mbrojtës Blerim Mazreku, ka pyetur se ku ka qenë ky dëshmitar më herët.
“Procesi gjyqësor në këtë çështje ka rreth 7 vite. Nëse ky dëshmitar me të vërtetë ka ardhur për drejtësinë shtrohet pyetja ku ka qenë i njëjti të paktën këto shtatë vite?”, ka theksuar Mazreku.
Vërejtje për këtë dëshmitar ka paraqitur edhe i akuzuari Remzi Shala.
“Pse nuk ka ardhë ky në 2016-ën, kur është ftuar këtu në seancë. Unë e kam dëgjuar njëherë që ky është ftuar”, ka deklaruar Shala.
Ndërkaq vërejtjet e palës mbrojtëse, avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha i ka quajtur të pabaza.
“Këtu nuk kemi aktakuzë ndaj Sejdi Përteshit, por ndaj Remzi Shalës. Deklarimet e pavërteta të të akuzuarit, nuk mund të quhen asnjëherë zbardhje e fakteve dhe se nuk ka absurd më të madh juridik sesa kjo që dëgjuam sot nga mbrojtësi”, është shprehur Hoxha.
Pas Zyrapit, është ftuar për dëshmi edhe Sejdi Përteshi, i cili ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës, duke theksuar se të gjithat janë thënë gjatë seancave të gjykimit.
“Nëse më merrni në pyetje ju, unë ju përgjigjem. Me këtë s'kam përgjigje, as me atë, fund”, ka theksuar Përteshi.
Avokati mbrojtës ka paraqitur vërejtje edhe për këtë dëshmitar lidhur me refuzimin që të përgjigjet në pyetjet e tija, duke shtuar se ai ka ende çka të fsheh, derisa i akuzuari ka shtuar se ky dëshmitar nuk e ka treguar të vërtetën.
Gjykata Themelore e Prizrenit, në korrik të vitit 2019, pati njoftuar shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Remzi Shalës, për bashkëkryerjen e veprës penale: krime lufte kundër popullsisë civile, duke e dënuar me 14 vite burg.
Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar këtë aktgjykim, duke zbritur dënimin ndaj Shalës në 10 vjet burgim. Ndërkaq Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020, e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzonte Remzi Shalën se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, e kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.