Komisioni për arsim ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për tekste shkollore, i cili është miratuar në parim më 7 mars.
Në këtë dëgjim publik, Selim Mehmeti nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, ka thënë se ka nevojë që të rishikohet lista e lektyrave shkollore.
“Neni 13 flet për lekturat shkollore, një temë tepër e nevojshme për ta sensibilizuar shoqërinë tonë, keni parasysh rezultatet në studime ndërkombëtare. Isha këto ditë në njërën prej shkollave të Kosovës, më bëri përshtypje numri i librave. 4 mijë e 500 tituj shkolla mbante në bibliotekë. Kur shikon listën e teksteve, pjesa më e madhe janë me dekada, me vite e që nuk përkojnë me aktualitetin dhe me nevojat e fëmijëve tanë. Ka nevojë me u prek më mirë kjo çështja e lektyrave. Një përgjegjësi pak më e madhe e rishikimit, plotësimit dhe update të tyre", është shprehur Mehemti.
Ndërkohë drejtoresha e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, Jehona Oruqi, ka thënë se duhet të përkufizohet edhe digjitalizimi i dokumentacionit pedagogjik.
“Nëse i referohemi neni 7 digjitalizimi i teksteve shkollore dhe materialeve, por nuk po e shoh që përkufizohet edhe digjitalizimi i dokumentacionit pedagogjik që përmes ligjit nuk po mund ta vërejë që është e përcaktuar, e është mjaftë e rëndësishme”, është shprehur ajo.
Ilir Mazreku, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se duhet të vendoset një kufizim për kohën e rishikimit të detyrueshëm të teksteve.
“Te koha e vlerësimit të librave mendoj se duhet patjetër të vendoset një rishikim i detyrueshëm çdo 3 apo 5 vjet për shkak se nuk e pashë një kufizim për sa kohë një libër do të botohet. Edhe nëse ka ikë një gabim, ai gabim do të duhej të kufizohej deri në 3 vjet psh. Pra të rishikohet në kuptimin e cilësisë”, ka theksuar Mazreku.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e normave, standardeve dhe procedurave themelore për hartimin, vlerësimin dhe botimin e teksteve shkollore, materialeve mësimore, mjeteve mësimore, lekturave shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik në arsimin parauniversitar.
“Si i tillë paraqet një legjislacion tejet të rëndësishëm për sigurinë e cilësisë në arsim ... Me draftligjin që e keni për shqyrtim në kuvend kemi paraparë disa risi përfshirë edhe aplikimin me dorëshkrime drejtpërdrejtë nga ana e autorëve dhe përkrahjen e tyre të vazhdueshme përmes ngritjes së kapaciteteve. Sigurimin e recensentëve kompetentë e llogaridhënës që do t’i nënshtrohen një programi të ngritjes së kapaciteteve dhe pastaj edhe të procesit të certifikimit”, ka theksuar Nagavci.
Ajo ka thënë se Projektligji gjithashtu përfshin pilotimin apo provën e teksteve shkollore gjatë përgatitjes teknike që i paraprinë vendimit për botim si dhe rishikim e vazhdueshëm të teksteve shkollore, të hapur për komente nga të gjithë akterët relevantë dhe për gjatë gjithë vitit. “Në linjë me qëllimin tonë strategjik të digjitalizimit në arsim në këtë projektligj kemi rregulluar edhe mundësinë për ofrimin e teksteve dhe materialeve shkollore, mësimore digjitale. Kemi hapur rrugë edhe mundësisë së përkthimit dhe përshtatjes së teksteve shkollore për të gjitha fushat, lëndët që konsiderohen me interes për t’u përkthyer. Dhe kemi fuqizuar këshillin shtetëror për tekste shkollore duke reflektuar jo vetëm fushat kurrikulare por edhe konceptet themelore të funksionimit të sistemit të arsimit si integrimit i teknologjisë, diversiteti, gjithëpërfshirja, zhvillimi i fëmijës, mësimdhënia moderne dhe aspektet e barazisë gjinore”, ka theksuar Nagavci.