Selajdin Sallahu, drejtor i Spitalit të Ferizajt, ka bërë të ditur se kompania kontraktuese, me gjithë përpjekjet disaditore nuk ka mundur që t’i sanojë defektet teknike në aparaturën “Autoklav”, e cila e bën sterilizimin e pajisjeve që përdoren për sallën e operacionit
Që nga java e shkuar Spitali Rajonal në Ferizaj nuk ka arritur të realizojë asnjë intervenim kirurgjikal, si pasojë e disa defekteve që janë evidentuar në pajisjen, e cila e bën sterilizimin e mjeteve të nevojshme për operim.
Hanize Rekaj, një paciente nga Kaçaniku, ka thënë se shkaku i këtyre defekteve asaj i është shtyrë intervenimi në këmbën e thyer. Ajo ka thënë se rasti i saj ka urgjencë për operim.
“Jam duke pritur për operimin e këmbës. Ata mjekët boll po i japin fuqi, por nuk po kanë me çka me operua. Qe një javë e kam thyer këmbën, dje i kam bërë një javë. Të premten kam qenë i kam bërë analizat dhe më kanë thënë se më thërrasin për sot. Dje më kanë thirrur që të vijë sot, por ai aparati ishte prishur”, ka thënë ajo.
E qytetari Emin Hyseni, i cili e ka bashkëshorten të shtrirë në Spitalin e Ferizajt, ka theksuar se prej ditësh u ka kërkuar mjekëve një zgjidhje për operimin e gruas së tij. Në të kundërtën, ai ka thënë se mund të detyrohet që t’i drejtohet ndonjë spitali tjetër.
“E kam bashkëshorten këtu prej të shtunës. Prej mjekëve faleminderit shumë sepse janë kujdesur, por këta nuk po kanë çfarë të bëjnë ngase pajisjet ishin të prishura. Për nesër më kanë thënë që do të hyjë në sallë në mëngjes. Duhet të rregullohen pajisjet se ato janë të vjetra dhe nuk e di se çfarë kanë për të bërë këta”, ka thënë ai.
Selajdin Sallahu, drejtori i Spitalit të Ferizajt, ka bërë të ditur se kompania kontraktuese, me gjithë përpjekjen disaditore, nuk ka mundur që t’i sanojë defektet teknike në aparaturën “Autoklavin”, e cila e bën sterilizimin e pajisjeve që përdoren për sallën e operacionit.
“Nga e premtja e kemi thirrur operatorin, i cili e ka për obligim servisimin dhe riparimin e aparaturës. Ata e kanë bërë recitimin e aparaturës por ka dështuar. Gjithashtu kanë punuar të shtunën edhe të dielën, por prapë nuk kanë pasur sukses. Të hënën kanë qenë premtimet e tyre se do ta rregullojnë, por prapë nuk u rregullua. Ndërkohë operacionet i kemi ndërprerë, kurse ato urgjente i kemi adresuar në spitale të tjera”, ka theksuar Sallahu.
Ai ka bërë të ditur se lidhur me problemin të enjten do të ketë takim me drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK).
“Nesër herët në mëngjes e kemi një takim me drejtorin e SHSKUK-së për këtë çështje dhe po shpresojmë se do të bëjmë një zgjidhje shumë të shpejtë në kuptim të sigurimit të një ‘autoklavi’ apo nëse riparohet ky na e zgjidh këtë çështje”, ka thënë ai.
E në SHSKUK gjatë të mërkurës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.