Zef Dedaj, udhëheqës i Divizionit për Politika Tregtare në Ministrinë e Ekonomisë dhe Tregtisë, në “Express Intervistën” ka thënë se reciprocitetin e lejon edhe Organizata Botërore e Tregtisë dhe se ky është instrument i ligjshëm.
Me vendimin e ri të Qeverisë kompanive nga Serbia do t’u kërkohen dy certifikata, ajo fitosanitare dhe ajo veterinare, dhe Dedaj ka shpjeguar se çfarë nënkuptojnë këto masa.
“Sot më 1 prill ka hyrë në fuqi vendimi për reciprocitetin në raport me Serbinë. Kemi filluar me certifikatën fitosanitare, ku përfshihen produktet ushqimore dhe jo ushqimore. Ku janë një gamë e madhe e produkteve. Ne kemi importuar mjaft shumë nga Serbia, por vlen të theksohet se në këtë fushë edhe Kosova ka mjaft kapacitete”, ka thënë Dedaj.
Sipas tij Serbia edhe kur ndonjëherë i ka pranuar këto certifikata atëhrë ka nxjerrë barriera të tjera.
“Këto certifikata kërkohen ndërkombëtarësh, por tentativat e Serbisë kanë qenë pikërisht në këtë fushë. Kur lëshohet kjo certifikatë nga Kosova për eksportuesit kosovarë mjaft shpesh ajo nuk është njohur nga Serbia. Nëse ndonjëherë ajo e ka njohur atëherë ka nxjerrë barriera të tjera, kanë hedhur dyshime mbi raportin e kualitetit, duke bërë që maunat kosovare të presin 2-3 ditë në terminalet doganore. I bie që nuk do të njihen ato që nuk janë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Ka filluar zbatimi, e kjo është shumë pozitive”, u shpreh Dedaj.
Ai thotë se nuk çuditen dhe nuk presin sjellje të mira nga ana e Serbisë, pasi sipas tij kanë qenë maltretues ndaj kompanive kosovare.
“Nëse autoritetet serbe lëshojnë dokumente sipas kushtetutës së Kosovës atëherë janë të mirëseardhura. Parimi i reciprocitetit në aspektin ekonomik, është instrument i vetëm ligjor që çdo marrëveshje e parasheh. Reciprociteti do të thotë trajtim i barabartë, as më pak as më shumë. Shumë produkte kosovare i plotësojnë kushtet ndërkombëtare, dhe të njëjtat kanë probleme në Serbi, por në vendet e Bashkimit Evropian, dhe kjo është arsye se kemi filluar me certifikatën fitosanitare”, ka thënë Dedaj.
Ai ka shtuar se kompanive kosovare u kërkohet edhe një dokument shtesë kur kalojnë transit nëpër Serbi.
“Kompanitë jo vetëm kanë problem kur kalojnë transit nëpër territorin serb, ato ndalohen dhe u kërkohet atyre që të pajisen me leje të importit nga Serbia, e këtë nuk e sheh asnjë marrëveshje. Ky dokument që u kërkohet kompanive kosovare dhe është i padrejtë dhe në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare. Zbatimi i reciprocitetit nuk do të ishte problem, pasi konsumatori sot ka një vetëdijësim më të madh”, ka thënë Dedaj.
Tutje Dedaj ka shtuar se nuk ka ndonjë dyshim se reciprociteti do të shkojë mirë, derisa ka bërë të ditur se çdo muaj do të bëhet vlerësimi i këtij procesi.
“Agjencionet relevante janë përgjegjëse për zbatim dhe s’kam dyshim se do të shkojë mirë. Do të bëjmë vlerësime të paktën njëherë në muaj. Nëse reciprociteti shkon ashtu siç duhet atëherë data do të rivlerësohet. Nëse nuk ka ankesa nga bizneset do të thotë se reciprociteti ka pasur efekt. Esenciale janë këto dy certifikata. Ka shumë barriera, dhe janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”, u shpreh ai.
Dedaj shton gjithashtu se Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e veta.
“Të gjitha këto barriera, që nga nënshkrimi i CEFTA-s, zotohemi se i ka adresuar përmes mekanizimit relevant në CEFTA, i ka adresuar përmes takimeve bilaterale në autoritetet serbe dhe më e rëndësishmja i ka adresuar tek niveli politik, ekonomik ndërmjet ministrisë për dialog në atë kohë që realizohej me ndërmjetësimin e Brukselit dhe mund të them se asnjë problem nuk ka arritur të marrë zgjidhje permanente. Kosova i ka kryer obligimet e veta, i ka adresuar në baza të rregullta të gjitha. Ekonomikisht Kosova është dëmtuar padrejtësisht dhe reciprociteti është parim ekonomik që e lejon Organizata Botërore e Tregtisë”, është shprehur Dedaj.