Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, ka deklaruar se faktori njeri është shkaktari kryesor i aksidenteve në Kosovë, duke shtuar se faktor i dytë i aksidenteve është mungesa e sinjalizimeve në rrugë.
Dedaj ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se 40 për qind të rrugëve në Kosovë s’kanë sinjalizim ose shenjat janë të dëmtuara. Dedaj është shprehur se gjendja më e rënduar është nëpër komuna.
“Faktori njeri është shkaktari i 85 për qind të aksidenteve. Faktori i automjeteve është 3 deri në 5 për qind i aksidenteve, e faktori rrugor dhe i incidenteve rreth 1 për qind. Nëse shkojmë te faktori rrugë dhe shohim krahasim me një shtet evropian shohim që këtu 40 për qind mungon sinjalizimi”, ka thënë Dedaj.
Eksperti i komunikacionit është shprehur se diku 90 për qind e rrugëve që mbikëqyren nga komunat kanë mungeë të sinjalizimit rrugor.
Profesori Dedaj ka folur edhe për aplikacionit në vetura që paralajmërojnë prezencë të policisë në rrugë. Sipas tij ato ndikojnë po ndikojnë që të ulet numri i aksidenteve.
“Radarët japin një siguri më të madhe, e monitorimi i aksidenteve përmes aplikacionit po i ul aksidentet. Ka automjete inteligjente, janë 7 që Policia i ka, ka radarë lëvizës, radarë statikë, radarë të vendosur në skaj rrugë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se rrugët në Kosovë kanë edhe “pika të zeza” që nuk po mbikëqyren nga autoritetet.
“Pikat e zeza janë vende si kthesat, rëniet gjatësore, rëniet tërthore, që përfaqësojnë një element rrugor. Një pikë e zezë është në kthesa për shembull, ku shpejtësia e lejuar është 60 kilometra në orë dhe ne llogarisim në shpejtësi të sigurisë për 40 km/h. Ne e paraqesim atë si pikë të zezë dhe mund të eliminohet me sinjalizim përkatës”, ka deklaruar Dedaj.
Eksperti u shpreh se autoritetet shtetërore nuk po merren me sigurinë rrugore.