Dëshmitari Gjergj Dedaj, i 33-ti në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Gjykatën Speciale, tek u është përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes, ka thënë të mërkurën se edhe lëndimet te Sokol Blakaj, ish-bashkëpartiak i tij, mund të jenë aksidentale – nga ecja nëpër male. Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, e ka pyetur lidhur me konferencën për media ku shiheshin Dedaj dhe ish-deputeti e sekretari i partisë që Dedaj drejtonte (PLK).
“A kishte z. Blakaj ndonjë lëndim të dukshëm në hundë”, pyeti Mishetiq.
Dedaj nuk e përjashtoi se Blakaj, tashmë i ndjerë, ka mund të ketë pasur lëndime, por i ndërlidhi ato me aksident.
“Ka mundur ta ketë ndonjë lëndim, u rrëzua a, nëse ka mundësi këtu do të kërkoja gjysmë minute seancë private... Për ta sqaruar korrekt”, ka thënë ai.
Kërkesën e tij për seancë private nuk e miratoi kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, pasi e vlerësoi se nuk mjafton. “Mund ta bëni këtë pa seancë private”, u shpreh Smith.
Dedaj i ndërlidhi lëndimet e Blakajt me qëndrimin nëpër male.
“Kemi qëndruar nëpër mal dhe kemi lëvizur nëpër mal, ku kemi mundur të gërvishtemi e të...Domethënë njerëz që kemi jetuar në qytet edhe në kushte me shi, me baltë, të ndjekur, nën bombardime permanente nga forcat serbe dhe kemi lëvizur nëpër mal”, ka deklaruar Dedaj.
Lidhur me një pjesë të fytyrës së nxirë të Blakajt, Dedajn e pyeti të martën edhe prokurorja Deborah Mayer, porse dëshmitari u shpreh se thjesht po e sheh që është Sokol Blakaj.