Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, të enjten njoftoi se komuna e tij do të shkëputet nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” pas dyshimit të helmimit të më shumë se 1500 qytetarëve nga uji që sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ka indikacione se ka qenë i kontaminuar. Kjo del se nuk është hera e parë që Deçani ka bërë shkëputje të tillë.
Sipas “Hidrodrinit”, Komuna e Deçanit edhe para disa vitesh pati funksionuar në vete, por pastaj sërish ka kërkuar të kthehet në menaxhim të kësaj ndërmarrjeje.
“Nga viti 2006 deri më 2013 kanë vepruar vetë. Në vitin 2013 kanë kërkuar përmes Kuvendit Komunal të Deçanit të rikthehen në kuadër të KRU ‘Hidrodrini’ me një shumë borxhesh mbi 200 mijë euro dhe paga të papaguara ndaj punonjësve deri 7 muaj obligime brenda. Më pas 50 për qind të pagave i ka paguar ish-Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ndërsa pjesën tjetër KRU ‘Hidrodrini’. Të gjitha tatimet, kontributet, TVSH kanë qenë të papaguara e që po ashtu janë mbuluar nga KRU ‘Hidrodrini’”, thuhet në përgjigjën e zyrës për media e KRU “Hidrodrini”, në pyetjen e KOHËS se a ka ndodhur më herët që ndonjëra prej njësive të ketë dalë më herët nga kjo kompani rajonale.
Nga paralajmërimi i kreut të Deçanit se “Hidrodrini” nuk do ta ketë Deçanin nën menaxhim, në “Hidrodrini” nuk shohin ndonjë rrezik, pasi sipas tyre të gjitha njësitë operative e kanë të qartë se barrën kryesore financiare e menaxheriale e bartë njësia kryesore në Pejë. Kompania rajonale për ujë dhe kanalizim “Hidrodrini” është themeluar në tetor të vitit 2004 në bazë të marrëveshjes së përbashkët ndërmjet ish- Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe pesë komunave: Pejë, Deçan, Istog, Klinë dhe Junik, të cilat si njësi operacionale veprojnë nën menaxhim të “Hidrodrinit”.
Se e ka drejtë ligjore njësia e Deçanit të shkëputet nga “Hidrodrini”, në këtë kompani thanë se për këtë duhet pyetur Qeveria e Kosovës, si aksionare që është.
“Nuk duhet harruar se këto janë çështje të rregulluara më ligj”, thuhet në përgjigjën e “Hidrodrinit”.
Sipas Ligjit për Ndërmarrje Publike, “Hidrodrini” është nën Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Republikës të Kosovës, si Ndërmarrje Publike Qendrore. Ndërsa Bordi i Drejtoreve i kësaj kompanie përzgjidhet nga kryeministri.
KOHA ju ka drejtuar edhe kësaj ministrie për vendimin e kryetarit të Deçanit për daljen e njësisë së Deçanit nga “Hidrodrini”, por deri në momentin e raportimit nuk është kthyer përgjigje.
Mirëpo, sipas një zyrtari në këtë ministri, pavarësimi për njësinë në Deçan do të jetë një sfidë e madhe në aspektin operacional.
“Për aspektin ligjor nuk e di si është, se duhet shikuar, por nga aspekti operacional është treguar edhe nga hera e kaluar se nuk është zgjidhje e mirë dhe veç e vështirëson situatën, sepse si njësi e vogël është problem të mbijetojë”, ka thënë ky zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë, i cili preferoi që të mos i publikohet emri.
Në gjithë Kosovën, të gjithat komunat janë të integruara në kompanitë rajonale të ujësjellësve, përveç komunës së Shtërpcës dhe Mitrovicës së Veriut.