Arbëri

Deçani bëhet me objekt të ri të Urgjencës

Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Deçan, të hënën i është shtuar objekti i ri i urgjencës, i cili kishte nisur të ndërtohet para tri vjetëve.

Në një ceremoni rasti të përurimit të këtij objekti të kompletuar me pajisjet e nevojshme mjekësore dhe inventar, të pranishëm përveç ekzekutivit të Komunës së Deçani dhe personelit të QKMF-së, ishte edhe kreu i AKK-së Ramush Haradinaj, i cili objektin e urgjencës e kishte futur në listën e projekteve të financuara nga Qeveria, në këtë rast të financuar nga Ministria e Shëndetësisë, në kohën kur ai ishte së fundmi kryeministër.

“Infrastruktura e shëndetësisë është një parakusht që të ofrojë shërbimet e duhura në kohë. Edhe Deçani, si gjithë Kosova, e ndjenë nevojën dhe është mirë që po kompletohen shërbimet me urgjencën. Kam pas nderin që ta aprovojmë dhe financojmë një projekt të tillë. Por e gjithë kjo është mundi i Kosovës, i qytetarëve, e i gjithë vendit”, tha Haradinaj në këtë ceremoni të përurimit.

Haradinajt ju falënderua kreu i Deçanit, Bashkim Ramosaj, që kishte mbështetur financimin e këtij projekti në vlerë prej 380 mijë euro, duke thënë se u realizua më në fund një ëndërr e qytetarëve të komunës së Deçanit.

“Jo vetëm kur jemi në zor, mjekët dhe personeli mjekësor në tërësi, janë heronjtë e qytetit, janë heronjtë e njerëzve”, ka lavdëruar Ramosaj edhe stafin mjekësor të QKMF-së në Deçan për punën e tyre veçanërisht që kanë treguar gjatë kësaj periudhe të pandemisë, pasi në Deçan gjatë vitit të kaluar stafi mjekësor i QKMF-së ka ofruar shërbime pacientëve me Covid-19 nëpër shtëpia, pa pasur nevojë ata që të vijnë as për terapi parenterale në QKMF.

Por, pasi 12 mjek të rinj ju kanë shkuar për specializim, janë detyruar siç tha drejtori i QKMF-së, Selman Berisha, të krijojnë një repart në objektin e QKMF-së për shërbime mjekësore pacientëve me Copvid-19.

E objekti i ri i urgjencës siç tha drejtori i QKMF-së, Selman Berisha, do të ndihmojë edhe më tepër në rritjen e shërbimeve mjekësore për qytetarët e kësaj komune.

“Urgjenca që po e përurojmë sot është shumë e rëndësishme për qytetarët e Deçanit, të cilët nga tash do të kenë mundësi të marrin shërbime mjekësore edhe më cilësore sesa që kanë marr deri tash. Ne që disa vite kemi punuar në objektin e vjetër, të cilin e kemi improvizuar për mjekësinë urgjente dhe shërbimet të cilat i kemi kryer deri me tani kanë qenë në objekt të ngushtë dhe nuk kanë qenë as kushtet minimale për këto shërbime. Ndërsa tani e tutje qytetarët do të kenë shërbime cilësore, meqenëse jemi pajisur edhe me pajisjet për laborator, stomatologji... si dhe teknologjinë tjetër, përfshirë edhe rëntgenin digjital nga Ministria e Shëndetësisë”, tha drejtori i QKMF-së, e cila aktualisht ka 121 punëtor të rregullt të komplet personelit.

Gjatë ceremonisë se përurimit të urgjencës, Komuna e Deçanit bashkë me QKMF-në, i kanë nderuar me dekorata motivacioni dhe respekti familjet e mjekëve të ndjerë, që kanë lënë gjurmë në shëndetësinë deçanase.