Arbëri

DASH: Korrupsioni në Kosovë i përmasave endemike

Korrupsioni ka zënë vend kryesor në raportin e Zyrës për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë të Departamentit të Shtetit Amerikan, për vitin 2016. Madje, për rastin e Kosovës, ai është quajtur i përmasave endemike. Gjetjet e raportit për të drejtat e njeriut në Kosovë, nuk ndalen vetëm në këtë fenomen. Aty përmendet edhe gjendja në burgje, dhuna në Kuvend dhe liria e mediave.

“Korrupsioni endemik në qeveri dhe në sektorin privat u shoqërua me mungesën e dënimit për vepra korruptive, e që mbeti një problem i rëndësishëm i të drejtave të njeriut”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan për të drejtat e njeriut, shkruan sot "Koha Ditore".

Dy rastet më të mëdha që janë hetuar për korrupsion gjatë vitit 2016, sipas raportit, janë rasti i Nuhi Ukës e ai i Azem Sylës në lidhje me shitblerjen e paligjshme të tokave në periferi të Prishtinës, si dhe ai i grupit të doktorëve në rastin “Stenta”.

“Më 18 korrik, ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, dha dorëheqjen pas padisë së ngritur ndaj tij në lidhje me një rast të korrupsionit në sektorin shëndetësor, ku ishte ministër më parë. Më 15 qershor, ministri Agani është akuzuar së bashku me 63 persona të tjerë, duke përfshirë edhe 44 mjekë në të ashtuquajturin rasti ’Stenta’”, thuhet në raport.

Ky raport i sheh të paefektshme përpjekjet e Qeverisë e Kosovës dhe të institucioneve të tjera zinxhir për ta luftuar korrupsionin.

“Qeveria ka hetuar abuzimet dhe korrupsionin, edhe pse mekanizmat për ta bërë këtë nuk ishin aq efektive në të gjithë vendin”.

Keqtrajtimi i të burgosurve

Korrupsioni zë vend edhe te pjesa e raportit që flet për kushtet e burgjeve dhe problemet me të cilat përcillen të burgosurit. Burgjet dhe qendrat e ndalimit vlerësohen të jenë me standarde ndërkombëtare, por se për të burgosurit problem paraqitet mungesa e programeve të rehabilitimit, dhuna mes të burgosurve, korrupsioni dhe përkujdesja jo e mirë mjekësore.

Keqtrajtim dhe përdorim dhune përmendet të ketë ndodhur në Burgun për të mitur në Lipjan. Aty thuhet se nga intervistat me 20 të mitur është konstatuar se goditja me shuplakë është e zakonshme, ndërsa një i mitur ka pësuar lëndime në kokë (të dhënat e siguruara nga Qendra Kosovare për Rehabilitim të të Mbijetuarve të Torturës - QKRMT).

Pjesë e raportit është edhe paditja e oficerëve korrektues, më 17 nëntor, që kishin ndihmuar arratisjen e të burgosurve, duke mos i ekzekutuar urdhrat gjyqësorë. Veçanërisht përmendet ish-drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Emrush Thaçi, i akuzuar për ndihmën që i ka dhënë Sami Lushtakut, i dënuar për krime lufte, që ishte larguar nga ambientet e mbajtjes me ndihmën e oficerëve korrektues.

Mungesa e respektimit të të drejtave të njeriut është evidentuar në këtë raport nëpërmjet Qendrës Kosovare për Rehabilitim të të Mbijetuarve të Torturës.

“Gjatë vitit QKRMT-ja ka pranuar ankesa nga të burgosurit në lidhje me sjelljen e papërshtatshme, ngacmim verbal dhe një rast të keqtrajtimit fizik nga oficerët korrektues, kryesisht në Burgun e Dubravës dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë. Prokurorët kanë hapur hetim për këtë rast në janar dhe në shtator. QKRMT-ja ka kërkuar nga Prokuroria në Istog të përshpejtojë këtë rast”, thuhet në raport.

Edhe kushtet e jetesës në burgje thuhet se nuk janë të mira. Ka mungesë të ndriçimit dhe ventilimit për ajër të pastër në disa qeli, kuzhina dhe tualete të dëmtuara, mungesë të ujit të ngrohtë dhe renovime të vonuara e me cilësi të dobët.

“Sipas QKRMT-së, të burgosurit me nevoja të veçanta ose të moshuar nuk janë të ndarë në dhoma të tjera, por janë në një vend me të gjithë burgosurit e tjerë, sikurse edhe me ata përdorues të drogës”, thuhet në raport, duke përmendur edhe vdekjen e natyrshme të dy të burgosurve.

Duke folur për trajtimin psiko-social të të burgosurve janë përmendur dhjetë raste të vetëvrasjeve në tentativë. Trajtimi i tillë vlerësohet i pamjaftueshëm dhe i papërshtatshëm për nevojat e të burgosurve.

Rasti i vdekjes së Astrit Deharit, që u arrestua si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, i dyshuar për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, zë një pjesë të raportit të DASH-it. Aty sqarohen rrethanat e arrestimit të tij dhe mbajtjes deri më 5 nëntor, kur edhe kreu vetëvrasjen.

“Më 18 nëntor, Instituti për Mjekësi Ligjore paraqiti gjetjet nga autopsia, ku thuhej se ai ka vdekur nga ‘asfiksia mekanike’. Prokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, tha më 6 nëntor për media se ai kishte shenja në fyt dhe në duart e tij”, thuhet në raport. Për këtë rast përmenden edhe masat disiplinore ndaj ushtruesit të detyrës së drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe një oficeri korrektues, teksa më 23 nëntor u pezullua një infermiere nga puna në këtë qendër në lidhje me rastin.

Gazi lotsjellës në Kuvend dhe kërcënimet ndaj mediave

Raporti i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit – Zyra për Demokraci, Drejta të Njeriut dhe Punë, ka përfshirë edhe ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, kur opozita ka penguar mbajtjen e seancave.

“Anëtarët e partive opozitare të Vetëvendosjes, Nisma dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë përdorur gazin lotsjellës, sprej me biber dhe mjetet shpërthyese brenda sallës plenare për të sulmuar anëtarët e Qeverisë dhe parlamentarët në shumë raste gjatë këtij viti”, thuhet në raport.

Aty shtohet se ata kanë deklaruar publikisht se qëllimi i tyre ishte për të bllokuar debatin dhe miratimin e legjislacionit, për Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Si rrjedhojë, sipas raportit, autoritetet e Kosovës kanë akuzuar disa deputetë për posedim të armëve, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Departamenti i Shtetit Amerikan në raportin e vet për vitin 2016 për Kosovën, tregon që mediat ballafaqohen me probleme të shumta. Megjithëse përmendet se Kushtetuta dhe ligjet parashikojnë lirinë e fjalës dhe të shtypit, kjo nuk gjen mjaft zbatim.

“Disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupet radikale fetare kanë tentuar për të frikësuar përfaqësuesit e mediave”, thuhet në raport, teksa theksohet vështirësia në marrjen e informacionit nga institucionet qeveritare dhe publike të përcaktuara me ligj.

Rastet e dhunës ndaj gazetarëve që renditen në këtë raport janë ndaj gazetarit Gazmend Morina në Mitrovicë, komunikimi i kryeministrit Isa Mustafa me gazetarin Vehbi Kajtazi, duke i thënë “ki me pagu shpejt për këtë”, kërkesa e Ambasadës Turke në institucione për ndjekje të gazetarit Berat Buzhala për një postim satirik gjatë kohës së puçit në Turqi dhe sulmet në RTK dhe në shtëpinë e drejtorit të përgjithshëm, Mentor Shala.

Duke u lidhur me këtë raport, për gazetën ka folur kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj, që i ka quajtur shqetësuese gjetjet e raportit. Ai vitin 2016 e ka parë si regres në këtë fushë.

“Në 2016-n kemi shënuar regres të jashtëzakonshëm edhe për faktin se mediat janë sulmuar edhe me bomba si në rastin e RTK-së, porse institucionet e drejtësisë kanë dështuar që t'i gjejnë dhe dënojnë autorët”, ka thënë Hysenaj, duke përmendur edhe sulmet fizike dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

Gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas Hysenajt, argumentohen pasi gazetarët po përballen me presion nga pronarët e medieve, nuk kanë kontrata dhe së fundi në treg po hyjnë edhe media të themeluara nga subjektet politike.

Ky raport, ndër të tjera, ka përmendur edhe shkeljen e drejtave të njeriut në Kosovë, si në kufizimin e lirisë fetare, duke përfshirë sistemin e regjistrimit, vandalizimin që përsëritet në pronat fetare dhe kufizimet e lirisë për pelegrinët ortodoksë serbë. Aty përmenden rastet në Gjakovë dhe Mushtisht të Suharekës, ku janë ndaluar serbët për të vizituar objektet e kultit.