Arbëri

DASH-i pret nga Serbia që autorët e sulmit në Banjskë të japin përgjegjësi pa vonesa

Departamenti i Shtetit të SHBA-së

SHBA-ja e ka përsëritur thirrjen ndaj Serbisë që autorët e sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar të japin përgjegjësi pa vonesa. 

“Të gjithë ata që janë përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023, duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës. 

Në sulmin terrorist në Banjskë vitin e kaluar u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. 

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë edhe ndaj Milan Radoiçiqit, që ka pranuar se ishte prapa sulmit. 

Milan Radoiçiq me kërkesën e autoriteteve të Kosovës, është futur në listën e personave të kërkuar nga Interpoli. 

“Si i dyshuar, ai absolutisht se duhet të gjykohet. Megjithatë ekziston një pengesë shumë serioze ligjore – Kosova dhe Serbia se njohin njëra-tjetrën. Pra, nuk ka asnjë procedurë ligjore të ekstradimit. Unë nuk jam ekspert i drejtësisë dhe nuk jam i sigurt nëse ka një rrugëdalje për diçka të tillë. Por, në këtë rast është një justifikim mjaft i përshtatshëm për të mos bërë gjë. Por, është sigurisht një rast në të cilën është e nevojshme, nëse ka vullnet nga të dyja palët, që të gjendet një mënyrë për të gjykuar atë person për veprimet që ai mund të ketë kryer”, ka thënë John Erath, drejt i politikave në Qendrën për Kontroll dhe Mospërhapje të Armëve, organizatë jofitimprurëse në SHBA. 

Mirëpo, ish-zyrtari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, sheh se nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik mes palëve për të kontribuuar në përfundimin e kësaj çështje. 

Në tetor të vitit 2023, Radoiçiq u lirua nga paraburgimi në Beograd pas më pak se një dite dhe gjatë seancës dëgjimore në prokurori ai pranoi organizimin e sulmit, duke pretenduar se nuk besonte se ka kryer ndonjë krim. 

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Prokuroria e Lartë e Beogradit tha se hetimi ndaj Radoiçiqit po vazhdon dhe se pas përfundimit të tij opinioni do të njoftohet për vendimin. 

“Radoiçiqi ka statusin e të dyshuarit. Urdhri për hetim akuzon se ka kryer tri vepra penale me persona tjerë të panjohur: shoqërim për kryerje të veprave kriminale, prodhim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, thuhet në përgjigje. 

Po ashtu u tha se prokuroria përmes Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë ka kërkuar nga EULEX-i në Kosovë që të dorëzojë dokumentacionin lidhur me sulmin në Banjskë. Siç ka thënë në përgjigje, nuk është bërë asnjëherë dhe “EULEX-i në asnjë mënyrë nuk është përgjigjur ndaj hetimit nga Serbia”. 

Por, EULEX e ka theksuar edhe vitin e kaluar se vetëm autoritetet e Kosovës mbajnë përgjegjësinë e plotë për kryerjen e hetimeve dhe se EULEX-i, në përputhje me mandatin e tij, ka aftësinë për t’i monitoruar ato. 

Të martën është bërë një vit nga sulmi terrorist në Banjskë. Në Kosovë janë mbajtur disa aktivitete për të nderuar heroin Afrim Bunjaku. Një rrugë rajonale që çon në Banjskë ka marrë emrin e Bunjakut. 
Ambasadorët nga vendet e QUINT-it në Kosovë kanë bërë thirrje të martën që përgjegjësit e sulmit në Banjskë të sillen para drejtësisë. Thirrje të tillë ka bërë edhe Bashkimi Evropian.