Arbëri

Darka e fundvitit e “Prishtina Parking” përfundon me përleshje

Një përleshje fizike ka ndodhur në darkën e fundvitit të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” të martën në mbrëmje, ka konfirmuar drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Sokol Havolli.

Ai ka thënë se nuk i di arsyet e zënkës, por se vetë e ka thirrur Policinë “kur e ka kuptuar se dy punonjës të ndërmarrjes kanë pasur incident”.

“Nuk e di arsyen e zënkës, por kur e kam kuptuar se dy punonjës të ndërmarrjes kanë pasë një incident, e kam thirrur Policinë. Tash, Policia është duke u marrë me rastin ... Kjo ka ndodhë jashtë. As nuk e kam parë ngjarjen”, ka thënë Havolli për KOHËN.

Policia e ka konfirmuar rastin duke thënë se një person është arrestuar, ndërsa një tjetër i është nënshtruar intervenimit kirurgjik për shkak të lëndimit dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh të mërkurën.

Avdyl Pacolli, shef i Urgjencës, ka thënë për KOHËN se i lënduari s’ka pasur lëndime të mëdha.

“Pak para mesnatës, ekipet e urgjencës kanë dhënë ndihmë në një restorant për një punëtor të ‘Prishtina Parkingut’. Nuk ka pasur lëndime të mëdha. Ka qenë vetëm një person që ka kërkuar ndihmë”, ka thënë ai.