Marrëveshja ndërmjet dy vendeve do të finalizohet pas përfundimit të punëve teknike dhe do të rishikohet dy herë në vit. Sipas marrëveshjes, Danimarka do t’i shfrytëzojë 300 qeli në Gjilan për të burgosurit e saj, derisa Kosova do të përfitojë 210 milionë euro. Po ashtu, sipas marrëveshjes, të burgosurit nga Danimarka do të dëbohen nga Kosova pasi ta kenë vuajtur dënimin
Dy shtretër, një tavolinë, një televizor e një banjë gjenden në njërën nga dhomat e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, që do të shërbejë për qëndrimin e të burgosurve nga Danimarka.
Por ajo dhe të tjera që do t’i marrë Danimarka në shfrytëzim, do t’u nënshtrohen një rinovimi të tërësishëm. Për këtë, të enjten, është nënshkruar kontratë në vlerë prej 5 milionë eurosh mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Danimarkës.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka thënë se të burgosurit nga Danimarka do të kenë mundësi edhe punësimi në këtë qendër, pas investimeve që do të bëhen.
“Te vendi ku jemi sot këtu do të ndërtohen disa punëtori, punëtori të cilat do të shërbejnë për punësimin e të dënuarve, kjo qendër është e destinuar për të paraburgosur, në momentin që kjo qendër do t’i jepet në shfrytëzim shtetit danez, natyrisht do të ketë më shumë vende të punës, hapësira ku të burgosurit do të kenë mundësi të punojnë. E, për gjithë këtë projekt është nënshkruar kontrata sipas nevojave dhe kërkesave të shtetit danez”, ka thënë Dibrani.
Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ku do të vendosen 300 të burgosur nga Danimarka, të enjten e kanë vizituar edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu dhe ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard.
Hummelgaard ka falënderuar Qeverinë, por edhe partitë opozitare në Kosovë për këtë bashkëpunim.
“Kemi pasur takime edhe në nivel teknik për hollësitë teknike, për trajnimin e zyrtarëve korrektues të Kosovës në Danimarkë që do të punojnë në objektet në kuadër të përgjegjësisë së shtetit danez. Jemi të lumtur me këtë bashkëpunim mes qeverive dhe jemi falënderues për mbështetjen e partive opozitare të Kosovës që e kanë votuar këtë marrëveshje”, ka thënë Hummelgaard.
E ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, është shprehur se kjo marrëveshje është e rëndësishme për Kosovën.
“Në momentin kur ka hyrë në fuqi kjo marrëveshje, ne kemi nisur zbatimin e saj. Janë ndarë fondet për renovimin e institucionit këtu në Gjilan, po ashtu për punëtoritë që do të mbahen këtu. Po ashtu është nënshkruar sot kontrata ku do të projektohet se si do të jetë i rregulluar ky institucion. Që nga fillimi ka pasur përpjekjet serioze për të adresuar këtë marrëveshje. Jemi vend serioz, jemi vend demokratik, andaj është e rëndësishme që zotimet që marrim t’i adresojmë siç duhet”, ka thënë Haxhiu.
Marrëveshja ndërmjet dy vendeve do të finalizohet pas përfundimit të punëve teknike dhe do të rishikohet dy herë në vit.
Sipas marrëveshjes, Danimarka do t’i shfrytëzojë 300 qeli në Gjilan për të burgosurit e saj, derisa Kosova do të përfitojë 210 milionë euro.
Po ashtu, sipas marrëveshjes, të burgosurit nga Danimarka do të dëbohen nga Kosova pasi ta kenë vuajtur dënimin.
Si marrëveshje ndërkombëtare, ajo për një kohë të gjatë nuk është miratuar në Kuvend të Kosovës. Por, më 23 maj, mori votat e mjaftueshme.